1 vit burgim dhe 1000 euro gjobë për fajde

Edi Hasani është dënuar me një vit burgim dhe 1 mijë euro gjobë nga Gjykata e Ferizajt, pasi e ka pranuar fajësinë se ka dhënë para me fajde.

I pandehuri e pranoi fajësinë për veprën e kryer dhe tregoi se me të dëmtuarin ka raporte të mira shoqërore.

Prokurori Paulin Pashku propozoi që të vazhdohet masa e paraburgimit ndaj Hasanit.

Ndërsa mbrojtësi i Hasanit, avokati Ramadan Sylejmani e kundërshtoi propozimin e prokurorit dhe kërkoi të ndërpritet paraburgimi për shkak se kanë pushuar arsyet për të cilat është caktuar.

Gjykatësi i rastit Shabi Idrizi e shpalli fajtor të pandehurin dhe e dënoi me 1 vit burgim dhe 1000 euro gjobë, si dhe njoftoi palët për të drejtën në ankesë ndaj vendimit, dhe e ndërpreu paraburgimin ndaj të dënuarit.

Edi Hasani akuzohej nga Prokuroria se në periudhën kohore nga muaji dhjetor i vitit 2018 ,e deri në gusht të vitit 2019 në Ferizaj, i pandehuri duke realizuar dobi pasurore në vlera të ndryshme, derisa ka arritur të pranojë shumën prej 20,000.00 euro, shumë kjo e dukshme jo proporcionale me borxhin të cilin e kishte i dëmtuari, ashtu që këtë shumë të parave e ka marrë duke e shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të dëmtuarit Burim Murtezi. Fillimisht i dëmtuari kishte marrë borxh shumën prej 5000 euro nga i pandehuri në afat kthimi prej 4 muaj, pa ndonjë kamat.

Mirëpo sipas Prokurorisë i dëmtuari në pamundësi që t’i kthejë këtë shumë të parave në afat të caktuar, i pandehuri e ka shtyrë që i njëjti të paguaj kamat për këtë borxh, çdo herë duke iu rrit vlerat për çdo datë të vonuar ku i pandehuri me datë 04.09.2019 pranon nga i dëmtuari kartëmonedhën në vlerë prej 500 euro të evidentuar nga masat e fshehta.