Zyrtari i Komunës ndëshkohet në disiplinë pas raportimit të BIRN-it

Komuna e Gjakovës është komuna e dytë e cila ka reaguar ndaj nismës së BIRN-it për të kërkuar disiplinimin e zyrtarëve komunalë, të cilët pretendohet se kanë kryer shkelje disiplinore.

BIRN nisi iniciativën që duke analizuar raportet e Auditorit Gjeneral t’u kërkojë komunave ndërmarrjen e masave disiplinore ndaj zyrtarëve që pretendohej se kishin bërë shkelje.

BIRN dërgoi 5 kërkesa në Komunën e Gjakovës për inicimin e procedurave disiplinore dhe në informacionet kthyese Komuna njoftoi se një zyrtar është ndëshkuar me masë disiplinore pas këtij raportimi.

Shkresa e parë përmbante informacione se në dy tenderë ka pasur parregullsi në përcaktimin e specifikave të tenderit si dhe është kërkuar nga Komuna të procedojë lidhur me vërtetimin e shkeljes dhe përgjegjësinë disiplinore. Për këtë, një zyrtari të prokurimit i është shqiptuar masa disiplinore “ndalim në pagë prej 20 % në periudhë kohore prej 1 muaji”.

Në këtë rast, Komisioni disiplinor i Gjakovës pas shqyrtimit ka konstatuar se zyrtari në fjalë kishte kryer shkelje të rënda të detyrave të tij të punës, me të gjitha elementet e përgjegjësisë disiplinore përfshirë ekzistimin e shkeljes së rëndë, veprimi apo mosveprimi i paligjshëm, ndodhja e pasojës, mospërmbushja e detyrave zyrtare dhe neglizhenca në kryerjen e detyrave të punës.

I njëjti, sipas Komisionit, nuk i ka përmbushur detyrat e tij të punës, i ka neglizhuar ato dhe nuk ka siguruar që aktiviteti për ndërtimin e një çerdheje në një fshat të Gjakovës të ketë ekzekutim me përputhshmëri të plotë dhe për këtë i është shqiptuar masa e lartpërmendur.

Sipas vendimit të Komisionit, si rrethanë lehtësuese për zyrtarin në fjalë ka marrë parasysh se i njëjti nuk ka pasur më herët masa disiplinore të pashlyera, parimin e proporcionalitetit.

Ky vendim i marrë përmban edhe të drejtën e ankesës prej 30 ditësh.

Në 4 raste të tjera është përfunduar procedura administrative pa masë disiplinore ngase Komisioni disiplinor nuk ka arritur të identifikojë nëpunësit civilë për shkeljet e pretenduara, si dhe në një rast komisioni ka konstatuar se nuk ka pasur dispozita materiale që rregullojnë çështjen e pretenduar, si dhe në një rast nuk ka qenë e mundur të konstatojë dispozitën materiale që është shkelur sipas shkresave të dërguara.

Numri i nëpunësve civilë në administratën e Komunës së Gjakovës është 229 zyrtarë.

Komuna e Gjakovës ka të themeluara dy komisione disiplinore, Komisionin disiplinor për nëpunësit civilë dhe Komisionin disiplinor për nëpunësit e shërbimit publik.

Të dyja këto komisione përbëhen nga tre anëtarë dhe në përbërje kanë së paku nga një jurist siç e parasheh edhe Ligji për zyrtarët publikë 08/L-197.

Qëllimi i projektit që po implementon BIRN, përkrahur nga aktiviteti i USAID-it për integritet të komunave të Kosovës, është që të forcohet integriteti i qeverisjes në komunat lokale të Kosovës ndërsa objektivat kryesore janë: Të kontribuojë në rritjen e transparencës dhe llogaridhënies në zbatimin e rekomandimeve të auditimit; Të kontribuojë në përmirësimin e operacioneve dhe procedurave të komisioneve disiplinore në bashkitë e synuara.

Disa ditë më herët, edhe Komuna e Lipjanit njoftoi se u ka shqiptuar vërejtje dy zyrtarëve të saj të cilët ishin hasur në shkelje në raportet e Auditorit Gjeneral.