Komuna e Gjilanit, Foto: Komuna e Gjilanit

ZKA: Inspektorati verifikoi vetëm 7% nga 36 mijë objekte të regjistruara në Gjilan

Ndonëse Komuna e Gjilanit ka mbi 36 mijë objekte të regjistruara, inspektorati komunal arriti t`i verifikoj vetëm 7 për qind të tyre.

“Komuna i posedon rreth 36,485 objekte të regjistruara. Komuna në vitin 2023 kishte arritur të bëjë inspektimin (verifikimin) e vetëm 2,602 objekteve apo rreth 7.13% ”, thuhet në gjetjen e raportit të Zyrës Kombëtare të Auditimit – ZKA.

Raporti tregon se Komuna nuk ka ndërmarrë të gjitha masat ose veprimet alternative për verifikimin e 20 për qind të pronave të paluajtshme/objekteve.

Inspektimi jo i plotë i pronave, sipas auditorit, mund të rezultojë me informata jo të plota të pronës së tatueshme aktuale si dhe të ndikoj në vlerësim jo të saktë të të hyrave për tatimin në pronë.

Kreut të komunës ju rekomandua të sigurohet që verifikohet 20 për qind e pronave.

“Kryetari duhet të sigurojë arritjen e verifikimit të 20% të pronave të paluajtshme në mënyrë që ndryshimet eventuale të pronave të integrohen në bazën e të dhënave për të reflektuar detyrimin e saktë”- rekomandon Auditori.

Gjetjen auditori e bazon në nenin 15 të Ligjit nr. 06/L-005 për Tatimin në Pronën e Paluajtshme. Sipas këtij neni parashihet që Komuna çdo vit duhet të kryejë veprime të inspektimit (verifikimit) për të paktën 20 për qind të gjitha objekteve brenda territorit të Komunës.

Nga Komuna e Gjilanit janë pajtuar me gjetjet e raportit.

Për më tepër, nëpërmjet letrës së konfirmimit, të datës 22.05.204 nga kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni  konfirmohet se e ka pranuar raportin dhe është pajtuar me gjetjet e raportit pa ndonjë koment për përmbajtjen e raportit të auditimit për “Raporti i auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Komunës së Gjilanit për vitin 2023”.