Zhvillimet e fundit nga Lufta në Ukrainë

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskiy ka deklaruar se pret që Rusia do t’i intensifikojë sulmet ndaj Ukrainës dhe ndoshta do t’i godasë vendet e tjera evropiane pasi Komisioni Evropian e propozoi Ukrainën si kandidat për anëtarësim në BE. “Natyrisht, këtë javë ne duhet të presim nga Rusia intensifikimin e aktiviteteve të saj armiqësore,” tha ai në një video-fjalim të natës. “Dhe jo vetëm kundër Ukrainës, por edhe kundër vendeve të tjera evropiane. Jemi duke u përgatitur. Jemi gati. Ne po i paralajmërojmë partnerët.”

Forcat e Ukrainës mbeten në mbrojtje në rajonin lindor të Donbasit, ku luftimet vazhdojnë në Sievierodonestsk. Serhiy Haidai, guvernatori i rajonit të Luhanskut, tha se Rusia po i grumbullon forcat në një përpjekje për ta marrë kontrollin e plotë të qytetit pas javësh luftimesh, por pohoi se “të gjitha pretendimet ruse se ata kontrollojnë qytetin janë një gënjeshtër”. “Ata kontrollojnë pjesën kryesore të qytetit, por jo të gjithë qytetin”, tha ai për televizionin ukrainas.

Ministrat e Jashtëm të BE-së do të diskutojnë mënyrat për të çliruar miliona tonë drithë të ngecur në Ukrainë në një takim në Luksemburg të hënën. Shpresohet se mund të arrihet një marrëveshje për t’i rifilluar eksportet detare të Ukrainës në këmbim të lehtësimit të eksporteve ruse të ushqimit dhe plehrave, por mbetet e paqartë nëse BE-ja do të përfshihej ushtarakisht në sigurimin e një marrëveshjeje të tillë. “Nëse do të ketë nevojë në të ardhmen për shoqërimin e këtyre anijeve tregtare, kjo është një pikëpyetje dhe nuk mendoj se jemi ende atje”, tha një zyrtar i BE-së.

Lufta në Ukrainë mund të zgjasë me vite dhe do të kërkojë mbështetje ushtarake afatgjatë, sipas NATO-s dhe liderëve të tjerë perëndimorë. “Ne duhet të përgatitemi për faktin se mund të duhen vite”, tha sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, në një intervistë me gazetën gjermane Bild të dielën. Kryeministri britanik, Boris Johnson, shtoi: “Kam frikë se duhet të bëhemi gati për një luftë të gjatë”.

Parlamenti i Ukrainës votoi përmes dy ligjeve të dielën që do të vendosin kufizime të rënda për librat dhe muzikën ruse. Ligjet e propozuara do ta ndalojnë shtypjen e librave nga qytetarët rusë, duke ndaluar importin tregtar të librave të shtypur në Rusi dhe duke e ndaluar performimin e muzikës nga qytetarët rusë të pas vitit 1991 në media dhe në transportin publik në përpjekjen e fundit për t’i prishur lidhjet kulturore midis të dyja vendeve.

Neë York Times identifikoi më shumë se 2000 municione të përdorura nga forcat ruse në Ukrainë, “shumica dërrmuese e të cilave ishin të padrejtuara”. Sipas gazetës, mbi 210 armë që u identifikuan ishin lloje që ishin gjerësisht të ndaluara sipas një sërë traktatesh ndërkombëtare.

Qeveria e Austrisë ka njoftuar se do ta rihapë një termocentral të thëngjillit për shkak të mungesës së energjisë që vjen nga furnizimet e reduktuara të gazit nga Rusia. Autoritetet do të punojnë me grupin Verbund, furnizuesi kryesor i vendit me energji elektrike, për ta rikthyer në veprim stacionin në qytetin jugor të Mellach, tha kancelaria austriake të dielën.

Organi kombëtar i të drejtave të njeriut të Marokut u ka kërkuar autoriteteve ruse të garantojnë një “gjykim të drejtë” për një shtetas të ri që apelon një dënim me vdekje të vendosur nga një gjykatë proruse në Ukrainë. Amina Bouayach, presidente e Këshillit Kombëtar të të Drejtave të Njeriut, ka kontaktuar komisionerin e lartë për të drejtat e njeriut në Federatën Ruse dhe i ka kërkuar organit rus të ndërmarrë “hapat e nevojshëm për të siguruar që Brahim Saadoun ta ketë një gjykim të drejtë gjatë apelit të tij”./The Guardian