Zemaj: Testi për COVID-19 nuk është obligativ për të hyrë në Kosovë

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka thënë qytetarëve që hyjnë në Kosovë nga jashtë u rekomandohet që të kenë dëshmi të testimit për COVID-19, mirëpo testi sipas tij nuk është obligativ.

Këtë deklaratë Zemaj e bëri gjatë një vizite në Komunën e Gjilanit. Atje ai deklaroi se po planifikojnë shtimin e numrit të testimeve për të pasur nën kontroll situatën edhe pas hapjes së trafikut ajror më 28 qershor.

“Situata është nën kontroll, është e vërtetë se ka një rritje të rasteve por politika ime dhe e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë ka qenë edhe rritja e numrit të testimeve, që ta kemi nën kontroll, çoftë numrin e rasteve të kontaktit çoftë rastet e reja që mund të na paraqiten nga lëvizjet me shtetet e tjera edhe për rastet që pritet të vijnë edhe kanë nis të vijnë nga mërgata”, deklaroi Zemaj.

Dje, Qeveria e Kosovës mori vendim që Aeroporti i Prishtinës të hapet për qarkullim ” Vetëm për linjat e rregullta të domosdoshme që kthehen brenda ditës me masa të shtuara të sigurisë dhe mbrojtjes së shëndetit”.

Në vendim po ashtu thuhet se  “të gjithë udhëtarët që hyjnë në Republikën e Kosovës rekomandohen të kenë testin negativ jo më të vjetër se 4 ditë”.

Zemaj, sot po ashtu përsëriti se testimi apo dëshmia e testit negativ nuk është obligativ për hyrje brenda territorit të Kosovës.

“Aeroporti nuk është i hapur plotësisht, iu kemi rekomandu qytetarëve që ta bëjnë testin por nuk është obligative për të hyrë në Republikën e Kosovës vetëm me dëshminë e testit”, tha ai.

Në vizitën në komunën e udhëhequr nga LDK-ja, ministri rekomandoi që institucionet lokale shëndetësore po ashtu të luajnë rol në trajtimin e pacientëve me COVID-19 për të mos ngarkuar institucionet qendrore.

“Lehtësimi i masave që kanë ndodhë në fund të majit dhe që kanë hyrë në fuqi më 1 qershor është tregues që kemi pasur rritje të numrit te rasteve edhe lëvizjet e pakontrolluara të qyteteve dhe moskujdesi i tërësishëm nëpër institucione publike dhe private, është një tregues që kemi pasur një rritje të numrit. Ne sot ishim këtu në Gjilan, dhe këtu është situata në nën kontroll dhe rastet që nuk janë urgjente mos të barten në qendër, në Klinikën Infektive në Prishtinë dhe t’i ndihmojmë kështu njëri tjetrit në menaxhim të situatës”, deklaroi të mërkurën para gazetarëve.

Sot, në Klinikën Infektive sipas raportit 24 orësh, janë të shtrirë 85 pacientë më COVID-19, 6 prej tyre në gjendje të rënd.

Vdes një punëtor i Postës së Kosovës, ishte i prekur me coronavirus

www.kallxo.com