Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Zemaj: Këtë javë trefish më pak komuna në zonën e kuqe se në fillim të dhjetorit

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka njoftuar se këtë javë në zonën e kuqe ka trefish më pak komuna se sa në fillim të muajit dhjetor.

Sipas Zemajt, në zonën e kuqe janë vetëm 8 komuna: Prishtina, Fushë Kosova, Obiliqi, Mitrovica e Jugut, Mitrovica e Veriut, Podujeva, Zveçani dhe Zubin Potoku.

Në zonën e verdhë janë 11 komuna: Kamenica , Gjakova, Gjilani, Peja, Vushtrria, Ferizaj, Shtërpca, Leposaviqi, Lipjani, Graçanica dhe Novobërda.

Ndërsa në zonën e gjelbër janë 19 komuna: Drenasi, Klina, Hani i Elezit, Shtimja, Suhareka, Skenderaj, Malisheva, Parteshi, Rahoveci, Prizreni, Deçani, Kaçaniku, Juniku, Dragashi, Mamusha, Kllokoti, Vitia, Istogu dhe Ranillugu.

Ministri Zemaj ka thënë se lakorja e infeksionit është në drejtimin e duhur të rënies.

“Andaj të vazhdojmë edhe më tej me respektim të masave nga qytetarët dhe mbikëqyrje nga institucionet relevante”, ka shkruar Zemaj në Facebook.

Ai ka thënë se pavarësisht masave të përgjithshme, kategorizimi i komunave do të vazhdojë, ndërsa kujdesi duhet të rritet.

Zemaj ka njoftuar se brenda 24 orëve të fundit nga 1,048 mostra të marra, 249 raste kanë rezultuar pozitivë, ndërsa 538 persona e kanë fituar betejën me COVID-19.