Qeveria e Kosovës. Foto: Arjana Berisha, KALLXO.com

Zëdhënësi i Qeverisë demanton audio-incizimin ku pretendohet se është një bisedë mes Kurtit dhe Hovenierit

Një audio-incizim po qarkullon në rrjetin social Twitter, përmes të cilës llogaria që e ka shpërndarë pretendon se është një bisedë e zhvilluar mes kryeministrit Albin Kurti dhe ambasadorit amerikan, Jeffrey Hovenier, për situatën në veri të vendit.

Në lidhje me këtë ka reaguar zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, i cili thotë se incizimi në fjalë është “deepfake” (zë i montuar) dhe sipas tij ka për qëllim të mashtrojë publikun.

“Një audio shqetësuese deepfake po qarkullon aktualisht në kanale dhe media të ndryshme sociale, duke përfshirë Tëitter-in, me qëllim për të mashtruar publikun. Edhe një herë rikujtojmë rreziqet që përmbajtja e rreme dhe e manipuluar paraqet për të vërtetën, demokracinë dhe në fund të fundit paqen”- ka shkruar Kryeziu në Twitter.

Në një përgjigje për KALLXO.com nga Ambasada e SHBA-së në Kosovë kanë thënë se ky audio-incizim është i rremë.

“Ne jemi në dijeni për regjistrimin e supozuar. Është e rreme. Biseda e supozuar nuk është zhvilluar dhe nuk pasqyron pikëpamjet e ambasadorit Hovenier dhe as të qeverisë amerikane“ – ka thënë Katherine Judd, zëdhënëse e Ambasadës së SHBA-së për KALLXO.com.

Judd u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të kenë kujdes në lidhje me burimet e paverifikuara të informacionit dhe gazetarët të konfirmojnë me burime zyrtare.

“I bëjmë thirrje publikut të tregojë kujdes në lidhje me burimet e paverifikuara të informacionit dhe gazetarët të konfirmojnë me burime zyrtare përpara se të publikojnë informacione potencialisht përshkallëzuese, shpifëse ose të rreme”- është shprehur zëdhënësja.

Përderisa dje gjatë ditës, Ambasada amerikane në Twitter u ka bërë thirrje qytetarëve të mos besojnë gjithçka që lexojnë dhe dëgjojnë nëpër media sociale, pa kontrolluar burimet e besueshme.

“Mos besoni gjithçka që lexon ose dëgjoni që qarkullon në mediat sociale ose aplikacionet e mesazheve. Gjithmonë kontrolloni me një burim të besuar përpara se të ndani regjistrime, video ose imazhe potencialisht të rreme, nxitëse ose shpifëse”- thuhet në postimin e Ambasadës.

“Deepfake” definohet si audio dhe video e një personi, e manipuluar për t’u dukur dhe tingëlluar si një person i vërtetë, duke thënë diçka që ai person kurrë nuk e ka thënë.

Shënim: Në orën 15:13 teksti është plotësuar edhe me përgjigjen e Ambasadës së SHBA-së në Kosovë.