Hamza al-Dahdouh (djathtas) dhe babai i tij Wael al-Dahdouh - Foto: X/HAMZADAH1996

Vritet gazetari Hamza al-Dahdouh, djali i shefit të zyrës së “Al Jazeera”-s në Gaza

Hamza al-Dahdou, djali i madh i shefit të zyrës së “Al Jazeera”-s në Gaza, Wael al-Dahdouh, është vrarë nga një bombardim izraelit në Gazën jugore.

Siç raporton BBC, Hamza al-Dahdouh, gazetar dhe kameraman i “Al Jazeera”-s, ishte me gazetarë të tjerë duke udhëtuar midis qyteteve Khan Younis dhe Rafah kur u qëlluan nga një dron.

Në këtë bombardim u vra edhe gazetari i pavarur Mustafa Thuraya.

Hamza është familjari i pestë i Wael al-Dahdouh që është vrarë nga bombardimet izraelite.

Në tetor i ishin vrarë gruaja Amna, nipi Adam, djali i tij 15-vjeçar Mahmoud dhe vajza shtatëvjeçare Sham.

Sipas Hisham Zaqout, një korrespondent i “Al Jazeera”-s, Hamza dhe një grup gazetarësh ishin rrugës për në zonën Moraj në verilindje të Rafahut – e cila u caktua si “zonë humanitare” nga ushtria izraelite – por që thuhet se kishte përjetuar bombardime të fundit.

Sipas “Al Jazeera”-s Hamza al-Dahdouh po shkonte në këtë zonë për të raportuar për situatën.

Pamjet e drejtpërdrejta nga “Al Jazeera” veturën e gazetarëve, e shkatërruar krejtësisht nga bombardimi.

Po ashtu, pamjet treguan Wael al-Dahdouh në lot, duke mbajtur dorën e Hamzësj dhe duke qëndruar pranë trupit të tij në një morg në Khan Younis. Ai u varros në qytetin jugor të Rafah.

Vetë Wael al-Dahdouh ishte plagosur dhe kameramani i tij Samer Abu Daqqa ishte vrarë në një sulm muajin e kaluar.

“Al Jazeera” dënoi vrasjen dhe atë që tha se ishte “shënjestrimi” i gazetarëve palestinezë në Gaza.

BBC ka kontaktuar Ushtrinë izraelite për koment.

Mark Regev, një këshilltar i lartë i kryeministrit Benjamin Netanyahu, tha se “Izraeli nuk synon qëllimisht gazetarët”.

“Ne jemi i vetmi vend në Lindjen e Mesme që në fakt ka një shtyp të lirë. Ne jemi i vetmi vend në të gjithë rajonin ku shtypi mund të shkruajë gjëra të këqija dhe të kritikojë krerët e qeverisë” – tha ai.

“Të thuash që Izraeli synon qëllimisht shtypin është qesharake, ne jemi i vetmi vend që në të vërtetë mbron shtypin e lirë”.

Më shumë se 75 gazetarë janë vrarë që nga fillimi i luftës në Gaza.

Ndërsa, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi, nga sulmet izraelite janë vrarë më shumë se 22,000 njerëz në Rripin e Gazës.