Vrasja me thikë në Prizren, dëshmitarët paraqiten në gjykatë

Në Gjykatën e Prizrenit është mbajtur seanca e radhës ndaj Orhan dhe Albert Ademajt, të akuzuar për vrasje të rëndë.

Dy vëllezërit Ademaj të premten janë ballafaquar me dëshmitë e dëshmitarëve.

Dëshmitari Erblin Kraja, ka rrëfyer se ditën kritike ai nuk ka marrë nga dëshmitari M.H., thikën, mjet me të cilin pretendohet se është therë i ndjeri.

Kraja ka shtuar se ditën kritike kur ka ndodhur rasti si zyrtar policor ai është urdhëruar të shkonte në Emergjencën e Spitalit të Prizrenit.

Në Emergjencë dëshmitari ka deklaruar se nga M.H., ka marrë çantën dhe disa gjësende të tjera.

Kraja ka deklaruar se ka dijeni se i ndjeri ishte therur me thikë, por që thikën as në spital nuk e ka parë.

Gjykimi më tej ka vazhduar me deklarimin e Aziz Ademajt, babai i dy të akuzuarve.

Dëshmitari Aziz Ademaj ka sqaruar se i ndjeri dhe djali i tij kanë pasur mosmarrëveshje dhe se M.H., tashmë i ndjerë fillimisht ia ka therur djalin e tij Orhanin.

“Vëllai i të ndjerit ka ardhur tek unë, tek shtëpia, nuk më kujtohet koha e saktë, sa më kujtohet pas rastit të parë ndoshta kanë kaluar dy muaj. Pajtimi më ka thënë: Unë jam vëllai i atij personi që ta ka therë djalin Orhanin. Unë i kam lut hajde hyjmë brenda pimë kafe dhe bëjmë muhabet”-tha dëshmitari.

Aziz Ademja ka deklaruar se për therjen me thikë të Orhanit, nuk ka pasur dijeni Alberti.

“Pajtimi ka kërkuar falje për qat therjen nga ana e vëllait të tij, dhe unë i kam thënë s’ka problem, këtë punë e ke të kryer. Këtu ka përfunduar biseda. Djalin e madh, Albertin, e kam pas në burg, ai nuk e ka ditë për këtë rast dhe nuk i kemi treguar kur ka dalë nga burgu”- tha dëshmitari.

Seancat e radhës u caktuan për më 16 dhe 21 dhjetor 2022.

Sipas Prokurorisë, Orhan Ademaj dhe Albert Ademaj, akuzohen se më 1 maj 2020, në Prizren, në rrugën “Ismail Kryeziu”, tek i ashtuquajturi “Transiti i ri”, në bashkëkryerje, me dashje, nga motivi i hakmarrjes, privojnë nga jeta M.K.

Në akuzë thuhet se dy të akuzuarit me veturën e tyre, të cilën ishte duke e drejtuar Albert Ademaj, e ndjekin të ndjerin M.K., i cili ishte në motoçikletë së bashku me dëshmitarin M.H.

Tutje sqarohet se kur arrijnë te “Transiti i ri” në Prizren, rrugë e cila nuk ka dalje e që vërehet nga kamerat e sigurisë, Orhan Ademaj pasi del nga automjeti i afrohet M. K., dhe në konflikt me viktimën e godet me thikë në pjesën ballore të gjoksit.

Pas kësaj me të shpejtë kthehet në automjet dhe largohen nga vendi i ngjarjes.

Gjithnjë sipas aktakuzës, më pas vjen autoambulanca – emergjenca në vendin e ngjarjes dhe viktima është dërguar në Spitalin Rajonal në Prizren, me ç’rast është vërtetuar se viktima në Emergjencë ka arritur pa shenja jete.

Me këto veprime Orhan dhe Albert Ademaj nga Prokuroria akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale vrasja e rëndë.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.