Trupat amerikane në Siri - Foto: REL/AP

Vrasja e gjeneralit iranian, deputetët irakianë kërkojnë largimin e forcave amerikane

Deputetët irakianë kanë votuar sot pro largimit të ushtarëve amerikanë nga Iraku.

Ky vendim vjen pas eliminimit nga Shtetet e Bashkuara të gjeneralit iranian Qasem Soleimani përmes një predhe të hedhur nga një dron amerikan në periferir të Bagdadit, raporton Le Figaro.

E paraqitur nga Washingtoni si një kundërpërgjigje ndaj sulmit kundër ambasadës amerikane në Bagdad, më 31 dhjetor, kjo vrasje e shënjestruar ka tronditur opinionin publik irakian: që disa ditë po zhvillohen protesta, ku po bëhet thirrje për largimin e 5.200 ushtarakëve të vendosur nga ShBA në Irak për të luftuar kundër ISIS-it.

Në hapje të seancës së jashtëzakonshme parlamentare kushtuar kësaj çështjeje, kryeministri irakian ka thënë se është “në interesin e të dy vendeve, Irakut dhe Shteteve të Bashkuara, t’i jepet fund pranisë së trupave të huaja në tokën irakiane”.

Më pas, deputetët kanë kërkuar nga qeveria “t’i japë fund pranisë së forcave të huaja dhe t’ua ndalojë atyre përdorimin e territorit irakian, të hapësirës ajrore ose të ujërave të vendit për çfarëdo arsye”.

Po ashtu, siç raporton Le Figaro, deputetët kanë kërkuar nga Qeveria të tërheqë “kërkesën e saj për asistencë drejtuar koalicionit ndërkombëtar që lufton ISIS-in për shkak të përfundimit të operacioneve ushtarake në Irak dhe të fitores… Qeveria irakiane duhet të përpiqet t’i japë fund pranisë së trupave të huaja në tokën irakiane”.