Ambasada amerikane në Bagdad sulmohet me raketa

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Bagdad është sulmuar me dy breshëri raketash, në mëngjesin e së premtes, të cilat nuk kanë shkaktuar viktima, ka njoftuar një zëdhënës i ambasadës.

Sulmi besohet të jetë kryer nga militantët e lidhur me Iranin në Irak, ka thënë zëdhënësi. Asnjë grup nuk e ka marrë menjëherë përgjegjësinë, raporton Reuters.

Ky ishte sulmi i parë i raportuar me raketa kundër ambasadës, që kur një rrjet grupesh militante të myslimanëve shiitë, të lidhura me Iranin, nisën sulme kundër forcave amerikane në baza ushtarake në Irak dhe në Sirinë fqinje, në mesin e tetorit.

Grupet e armatosura, të cilat operojnë nën flamurin e Rezistencës Islamike në Irak, i kanë lidhur më shumë se 70 sulme të tilla me mbështetjen e Uashingtonit për Izraelin, në luftën e tij shkatërruese në Gazë.

“Ne i bëjmë përsëri thirrje Qeverisë së Irakut, siç kemi bërë në disa raste, që të bëjë gjithçka që mundet për të mbrojtur personelin dhe objektet e partnerëve diplomatikë dhe të koalicionit”, ka thënë zëdhënësi i ambasadës.

Shpërthimet u dëgjuan afër ambasadës, në qendër të kryeqytetit të Irakut, rreth orës 4 të mëngjesit të së premtes. U aktivizuan edhe sirenat që u bënin thirrje njerëzve të zinin vende të sigurta, sipas videove nga vendi i ngjarjes, të publikuara në mediat sociale.

Përveç stafit diplomatik në Irak, Shtetet e Bashkuara kanë edhe rreth 2.500 trupa në vend, në një mision që ato thonë se ka për synim të këshillojnë dhe t’u ndihmojnë forcave vendëse, që po përpiqen të parandalojnë një ringjallje të grupit Shteti Islamik, i cili më 2014 mori nën kontroll pjesë të mëdha të Irakut dhe të Sirisë, para se të mposhtej.

“Ne përsërisim se kemi të drejtë të vetëmbrohemi dhe të mbrojmë personelin tonë kudo në botë”, është shprehur zëdhënësi./REL