Von Cramon pas rrëzimit të Qeverisë: Klasë politike tërësisht e papërgjegjshme

Deputetja e Parlamentit Evropian, Viola Von Cramon klasën politike të Kosovës e ka quajtur tërësisht të papërgjegjshme, një ditë pasi Kuvendi i Kosovës e rrëzoi Qeverinë Kurti, në kohën e pandemisë së Covid-19.

Von Cramon përmes një pubikimi në Twitter ka shkruar se është tragjike që votat e qytetarëve janë vjedhur edhe njëherë nga “të vjetrit”.

“Nuk di çfarë të them. Klasë politike plotësisht e papërgjegjshme. Vendosje e partisë dhe e karrierës së tyre përpara shtetit. Të gjorët qytetarët në Kosovë që shpresuan në reforma, sundim të ligjit, drejtësi dhe të ardhme më të mirë. Tani votat janë vjedhur nga ‘të vjetrit’ edhe një herë. Tragjike”, ka shkruar ajo.

Qeveria e Kosovës në krye me Albin Kurtin u rrëzua mbrëmë nga një mocion i mosbesimit i inicuar nga partneri qeverisës, Lidhja Demokratike e Kosovës. Mocioni u votua me 82 vota për, 32 kundër, dhe 1 abstenim.

Eurodeputetja në vazhdimësi e ka kundërshtuar mocionin e mosbesimit të inicuar nga LDK-ja për ta rrëzuar Qeverinë Kurti. Ajo madje e kishte kundërshtuar edhe ambasadorin e SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnett, i cili e kishte përshëndetur mbajtjen e seancës.

LDK inicion mocion për rrëzimin e Qeverisë Kurti