Grafit ku shkruan "Kosovë deri në Çakorr" - Foto: REL/Reuters

Vitin e ardhshëm pritet të rehabilitohet rruga për në Qakorr

Në mesin e rrugëve që Ministria e Infrastrukturës ka planifikuar t’i rehabilitojë me buxhetin e vitit 2021, është edhe segmenti i rrugës i cili të dërgon për në Qakorr.

Ministria e Infrastrukturës ka të draftuar në buxhet rehabilitimin e rrugës nacionale N9, në segmentin Pejë- Kuçishtë-Qakorr.

Për këtë projekt të ri kapital, është aprovuar buxheti në vlerën e 300 mijë eurove për vitin 2021.

Në bazë të Projektbuxhetit për vitin 2021 i cili është ende draft, Ministria e Infrastrukturës shpenzimet për investimet kapitale deri në fund të këtij viti do të ketë mbi 465.8 milionë euro ndërsa nga 2020-ta do të vazhdohen projektet në vlerën e mbi 98 milionë euro ndërsa projekte të reja kapitale për vitin 2021 do ta kenë vlerën e mbi 5.4 milionë euro.

Me datën 30 të muajit të kaluar, Qeveria e Kosovës, në krye kryeministrin Avdullah Hoti ka miratuar Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për vitin 2021.

Në mbledhjen e Qeverisë, shefja e kuletës së shtetit, Hykmete Bajrami kishte deklaruar se shpenzimet buxhetore do të jenë rreth 2.4 miliardë euro.

“Ekonomia për vitin 2021 pritet të rritet me 5.1%. Gjatë 2021 pritet një dinamikë më e shpejtë e investimeve publike. Gjatë vitit duhet të rifanciojme 162 milionë për borxhin aktual. Shpenzimet buxhetore janë planifikuar të jenë rreth 2 milardë e 400 mijë euro. Shpenzimet për paga pritet te jenë 625 milionë euro”, citohet të ketë thënë ministrja Bajrami.