Policia/Ilustrim

Viti, i dyshuari aksidentohet me policinë gjatë ikjes

Një i dyshuar ka aksidentuar një automjet të udhëtarëve dhe veturën zyrtare të Policisë derisa ishte në ikje.

Si pasojë e aksidentit kanë pësuar lëndime drejtuesi i automjetit zyrtar si dhe një pasagjere e automjetit të udhëtarëve.

Sipas Policisë ngjarja ka ndodhur pasi që i dyshuari kishte grabitur një veturë.

“Pas informatës një njësi policore i është vënë në ndjekje për ta ndalur të  dyshuarin dhe i njëjti gjatë përpjekjeve për t’i ikur ndaljes së tij, ka goditur një automjet të udhëtarëve dhe më pas edhe automjetin zyrtar të Policisë së Kosovës” thuhet në raportin e Policisë.

Të lënduarit kanë marrë tretman mjekësor dhe më pas janë liruar.

Në lidhje me rastin është konfiskuar automjeti i grabitur, ndërsa i dyshuari është  dërguar në mbajtje për rastin vjedhje grabitqare.