VIDEO - Telefonata para seancës mes Abelard Tahirit e Arben Gashit

Dy deputetët opozitarë, Arben Gashi nga LDK dhe Abelard Tahiri nga PDK janë parë duke biseduar në telefon e pastaj në katër sy në Kuvendin e Kosovës para se të fillonte seanca plenare ku po raporton Kryeministri Albin Kurti për procesin e dialogut Kosovë – Serbi pas zhvillimeve të javës së kaluar.

Ndonëse shumë pak metra larg njëri-tjetrit, Gashi e Tahiri zgjodhën që komunikimin fillimisht ta bënin përmes telefonit.

Menjëherë pas mbylljes së telefonatës, të dy u takuan para foltores së Kuvendit me një shtrëngim duarsh dhe biseduan për pak me njëri-tjetrin.

Arben Gashi e ka konfirmuar për KALLXO.com se ka qenë duke biseduar në telefon me Abelard Tahirin.

“Më pyeti nëse e di se si do të fillojë seanca, a me raportimin e kryeministrit apo me folë dikush prej opozitës në fillim” – tha Gashi.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë raportimit të tij tha se është i gatshëm dhe i interesuar për të nënshkruar marrëveshje më Serbinë, por, sipas tij, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq nuk po dëshiron të nënshkruajë me Kurtin.

Për këtë çështje ai ka pyetur “Se si ia kanë bërë PDK e LDK që kanë nënshkruar marrëveshje me Vuçiqin”.