VIDEO - Problemet pronësore "shtyjnë gratë të jetojnë në martesa të palumtura"

Në emisionin e sotëm në “Drejtësia në Kosovë” u transmetuan rrëfime të dy grave të cilat tash e disa kohë po kërkojnë të drejtën e tyre pronësore dhe në trashëgimi.

Në Kosovë, 16 përqind e grave kanë të regjistruar pronë në mënyrë të barabartë me burrat e tyre.

Avokatja Merita Stublla- Emini tregon për emisionin DNK se se gratë kushtëzohen të jetojnë në martesa të palumtura pasi që kanë presione siç i quan ajo ekonomike.

“Dhuna në familje është një dukuri që kohët e fundit është në rritje. Dhuna në familje nuk është vetëm fizike por edhe psikologjike ekonomike. Shumë gra kushtëzohen të jetojnë në një bashkësi martesore të palumtur ose në presion të madh psikikik ekonomik përshkak të pamundësisë ekonomike që ato vet ia dalin mbanë me fëmijët dhe kjo pamundësi ekonomike i detyron ato të jetojnë në presion që është vërtetë vështirë e kuptueshme për ata që nuk e përjetojnë “, tregon avokatja Stublla.

Ajo shpjegon edhe çështjen e pronave ku paditëse janë gratë.

“Çështja e pronës është çështje problematike në gjithë sistemin në raport me gratë nuk është çështje problematike vetëm në Kosovë por gjithëglobal prandaj edhe Kosova nuk ka përjashtim. Në raport me pronën në emër të grave kjo është vërtetuar si një prej problemeve më të mëdha në shumë raporte që janë bërë në Kosovë. Sipas stastikave të vitit 2011 45.7 përqind janë gra vetëm 14.7 përqind janë gra që kanë prona të regjistruara në emër të tyre. Gratë të drejtat pronësore i realizojnë përmes gjykatës. Është i vogël numri i rasteve që gratë marrin prona me marrëveshje. Procedura inicohen me padi në gjykatë por kjo është vetëm fillimi. Arsyeja kryesore e mosrealizimit të të drejtave të tyre është për shkak të lëndëve të shumta në gjykata. Unë kam lëndë që disa vite që kanë hyrë në gjykatë dhe presin caktimin e seancave, përkundër urgjencave lëndët nuk kanë filluar. Të gjitha lëndët civile në gjykatë dhe në bazë të të dhënave nuk ka gjyqtar të mjaftueshëm për zgjidhjen e këtyre çështjeve. Në Gjykatën e Apelit janë të ngarkuar më lëndë dhe për këtë arsye nuk arrijnë të i zgjidhin në afat të arsyehëm kohor”, tha Stublla.

Stublla tregon edhe për vonesat në zgjidhjen e çështjeve pronësore.

“Vonesat në zgjidhjen e çështjeve pronësore dhe në zgjidhjen e çështjeve ku gratë janë paditëse në rast se kërkojnë ndarjen e pasurisë së përbashkët i dekurajon ato për me vazhdu më tepër. Gjithashtu është dekurajuese për to kur nuk posedojnë prona në emër të tyre por të bashkëshortit apo kryefamiljarit. Në bazë të procedurës administrative, çertifikatën e pronës mund ta marr vetëm pronari dhe këtu është ajo pengesa e parë me të cilën gratë ballafaqohen”, shtoi ajo.

Madje Stublla tregon edhe se gratë nuk mund të paraqesin në gjykatë fakte të pronës nëse nuk është e regjistruar si pronare e pronës bashkëshortore.

“Askujt nuk i lejohet që nuk është pronar nuk mund të tërheq nga zyrat kadastrale për pronësi sepse kjo e drejtë i takon vetëm pronarit dhe kjo është pengesa e parë, ngase në padi konform ligjit për procedurën kontestimore duhet bashkangjitur të gjithë dokumentacionit dhe i ofrohen gjykatës prova për pretendimet e parashtruara në padi por gratë nuk kanë mundësi që të realizojnë një gjë të tillë, por ekziston një zgjidhje dhe kjo egziston në ligjin për procedurën kontestimore”, tregon tutje avokatja.

Sipas avokates Stublla vonesat në gjykatë dekurajojnë gratë të vazhdojnë apo të nisin procese gjyqësore për pronë të barabartë.

“Vonesat për caktimin e lëndëve për të drejta pronësore dekurajojnë gratë që të vazhdojnë tutje dhe krijojnë pasiguri që përpos asaj që nuk po mundet të ealizoj, kjo i bjen që edhe shteti ia ka kthyer shpinën”, thotë ajo.

“Situata është më e mirë se sa ka qenë më parë, prej vitit 2013 pronat që blihen dhe shiten gratë janë bashkë nënshkruese në kontrata. Regjistrimi i pronës në emër të grave u jep mundësi të ndërmarrësisë dhe u jep qasje në mjete financiare”, shton tutje ajo.

Edhe avokati Florin Vërtopi, tregon se gratë shumë herë nuk raportojnë se janë të kërcënuara për shkak se kërkojnë pronë të barabartë.

“Legjislacioni pozitiv është identik është ligji për martesën ku ka barazuar bashkëshortët. Bashkëshortët kanë të drejtë të ndajnë pronën por në praktikë nuk ndodh kjo. Problemet janë të natyrave të ndryshme, prej pjesës kur një femër ka të drejtë në trashëgimi asaj i mohohet në mënyra të ndryshme, duke filluar edhe tërheqja nga trashëgimia nga kanosja apo tjera dhe këto raste gratë nuk i paraqesin”, thotë ai.

Avokati Florin Vërtopi, Foto: KALLXO.com

Madje ai sqaron edhe se gjykatat ndonjëherë zgjedhin të ndjekin dy procese atë të martesës dhe ndarjes së pronës e që të dyja mund të zgjidhen vetëm në një proces gjyqesor.

“Pjesa tjetër sa janë të barabarta dhe çka ndodh në praktikë tek gratë që përjetojnë dhunë kur është ndërpreë martesa dhe iniciohet një procedurë e zgjidhjes së martesës, në praktikë janë identike. Zakonisht shkohet me padi për zgjidhjen e martesës me padi për ndarjen e pasurisë çka nuk duhet të jetë sepse ligji e lejon që në një procedurë të zgjidhen të dyja. Kam pasur raste në praktikë kur kjo ka ndodh por te rastet kur arrihen marrëveshje te bashkëshortët ndërsa ku nuk ka marrëveshje është më problem sepse gjykata është e detyruar që ta zgjat jashtëzakonisht shumë pjesën e zgjidhjes së martesës dhe kjo mund të ndikoj shumë në këtë situatë. “, thotë avokati Vërtopi.

Avokatja Stublla, thotë edhe se duhet të ketë një vetëdijësim në familje që gratë dhe burrat duhet të jenë të barabartë në pronë.

“Patjetër, çështjet e regjistrimit të pronave nuk janë vetëm për gratë që e krijojnë pasurinë në mënyrë bashkëshortore por është e vërtetë që në mentalitetin tonë edhe pse ka përmirësime janë të ndejshme. Në familje duhet të i edukojmë fëmijët në mënyrë të barabartë që të vetëdijësohen që krejt çka kanë të ndahet në mënyrë të barabartë”, tregon avokatja Stublla.

Avokati Vërtopi thotë se ka nevoje edhe pak të ndryshohet ligji për prona.

“Mendoj që ka nevojë edhe pse ligji për martesë ka pësuar ndryshime, ndërsa ligji kundër dhunës në familje duhet të ndryshoj sepse disa shprehje ligjore janë vjetëruar, pra ka kundërthënie. Kodi Penal është ndryshu dhe ka hy në fuqi dhe është paraparë si vepër e veçantë vepra penale e dhunës në familje, në praktike është tregu kjo dispozitë shumë e papërshtatshme sepse si normë inkriminuese është e zgjeruar shumë”, thotë avokati Vërtopi.