VIDEO - Policia në Durrës sekuestron mbi 3 kilogramë kanabis - arrestohen tre persona

Në Durrës të Shqipërisë është kryer një operacion për parandalimin e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve.

Policia e Shtetit ka njoftuar se është finalizuar operacioni i kodur “Spring”.

“Ushtronin veprimtari kriminale në fushën e prodhimit dhe shpërndarjes së kanabisit, kapen dhe vihen në pranga 3 shtetas” – thuhet mes tjerash në njoftim.

Në kuadër të këtij operacioni janë sekuestruar 3.5 kilogramë kanabis i përpunuar dhe i gatshëm për shitje.

I arrestuar nga operacioni ‘Spring’ kanë mbetur H.Ç 34 vjeçar me vendbanim në Lushnje, i dyshuar për veprën ‘Prodhimi dhe shitja e nartotikëve’, vepër kjo e kryer në bashkëpunim.

“Gjatë operacionit, pranë mbikalimit të Shkozetit, shërbimet e Policisë ndaluan për kontroll automjetin që drejtohej nga shtetasi H. Ç., i dyshuar se po transportonte lëndë narkotike me qëllim shitjen në zonën e Lushnjës. Gjatë kontrollit në bagazhin e automjetit, u gjet dhe u sekuestrua një sasi lënde narkotike e dyshuar e llojit Cannabis Sativa, me peshë rreth 3.5 kilogramë” – thuhet tutje në njoftim.

Më pas, janë lokalizuar dhe arrestuar edhe A.K 43 vjeçar dhe G.K 25 vjeçar, me banim në Durrës.

“Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të ftohta”, janë veprat me të cilat përballen dy të arrestuarit e tjerë.

Policia njofton se nga veprimet e para hetimore ka rezultuar se 43 vjeçari dhe 25 vjeçari i kishin shitur H.Ç lëndën narkotike të sekuestruar.

“Gjatë kontrollit në automjetin me të cilin udhëtonin shtetasit A. K. dhe G. K., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan edhe një dorezë hekuri” – thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.

Materialet i kanë kaluar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.