Kampi "Belvedere"- Mitrovica e jugut, Foto: KALLXO.com

VIDEO - Njësitë speciale vendosen edhe në nënstacionet policore në veri të Kosovës

Puna e njësive speciale në pjesën në jug dhe veri të Kosovës edhe gjatë ditës ka vazhduar njësoj sikurse ditëve të kaluara.

Përkundër që gjobitja e qytetarëve me targa ilegale është shtyrë për ditën e nesërme, në stacionet dhe nënstacionet policore në Mitrovicën e veriut ka vazhduar njëjtë edhe sot ndërsa për të siguruar këto objekte janë vendosur edhe njësitë speciale.

KALLXO.com gjatë ditës së sotme ka qëndruar në afërsi të Kampit “Belvedere” i cili gjendet në jug të Mitrovicës.

Nga aty KALLXO.com sjell pamje të ekipeve të njësive speciale të cilat po udhëtojnë drejtë nënstacioneve policore në Jasenovik në Zubin Potok e Kushtovë ku edhe do të vendosen për të mbikëqyrur situatën në atë zonë.

Ekipet speciale janë vendosur në këto zona për shkak të rritjes së tensioneve pas qindra dorëheqjeve që janë ofruar javët e kaluara nga zyrtarët serbë të cilët jetojnë në veri të Kosovës.

E gjithë kjo situatë u krijua pas suspendimit të ish- drejtorit të Policisë në veri të vendit Nenad Gjuriq i cili refuzoi që të implementoj vendimin e Qeverisë së Kosovës për tu shqiptuar fletë- qortime qytetarëve që posedojnë targa ilegale.

Nenad Gjuriq u suspendua nën dyshimin për sabotim dhe thirrje për rezistencë. Menjëherë pas këtij suspendimi, Gjuriq doli publikisht dhe tha se do të dorëhiqej nga Policia e Kosovës ndërsa tri ditë më pas u dekorua nga presidenti Aleksandar Vuçiq në Beograd.

Pas dorëheqjes së Gjuriq, qindra dorëheqje të tjera u ofruan nga zyrtarët policor, gjyqtarë, prokurorë, doganierë, kryetarët e zyrtarët e katër komunave me shumicë serbe.

Aktualisht stacionet dhe nënstacionet policore në veri të Kosovës po funksionojnë vetëm me zyrtar policor të Policisë së Kosovës.

Një javë bojkot nga zyrtarët serbë: Situatë e paqartë në veri të Kosovës