(VIDEO) Misteri i plagosjes së të riut në Graçanicë nga zyrtari policor

Në emisionin ‘Kallxo Pernime’ po transmetohet hulumtimi rreth përdorimit të armës nga ana e një zyrtari policor të Kosovës në stacionin e Graçanicës, ditën e 22 dhjetorit të vitit të kaluar.

Polici i Kosovës Aleksandër Kërstiq kishte përdorur armën dhe e kishte plagosur Florin Gerxhaliun i cili ishte në veturën e kushëririt të tij Qëndrim Gërxhaliut e ku kishte hipur edhe i dyshuari për arratisje Armend Ukiqi, ndërsa i akuzuari tjetër Astrit Idrizi kishte mbetur jashtë veturës në afërsi të Stacionit Policor në Graçanicë.

Qëndrim Gërxhaliu, Astrit Idrizi dhe Armend Ukiqi sipas Prokurorisë ishin nisur nga Vushtrria në drejtim të Graçanicës për ta shitur veturën e Qëndrimit.

Në afërsi të rrethit të Çagllavicës ata ndalen nga Policia e Kosovës ku gjatë kontrollit Policia e prangos Armend Ukiqin i cili kishte fletarrest dhe do duhej të ishte ne burg sipas vendimit të Gjykatës ne Vushtrri për rrahjen e një polici.

Armend Ukiqi pas arrestimit dërgohet në Stacionin e Policisë në Graçanicë ndërsa Qëndrim Gerxhaliu urdhërohet të paraqitet në Stacionin e Graqanicës për një deklaratë pasi që të njëjtit i gjendet në veturë një shufër metalike e po ashtu vetura ishte me regjistrim të skaduar.

Astrit Idrizi kishte mbetur jashtë stacionit policor në Graçanicë dhe aty ofrohet për të marrë vesh se çka ka ndodhur me dy shokët e tij.

Në atë rast afër stacionit afrohet edhe Florin Gërxhaliu i cili është një shitës i pemëve dhe perimeve në Graçanicë.

Nuk vonon shumë dhe Qëndrim Gërxhaliu lirohet nga stacioni policor në Graçanicë dhe bashkë me Florim Gërxhaliun dhe Astrit Idrizin nisen në drejtim të Prishtinës.

Sipas deklaratave të dhëna para Policisë dhe Prokurorisë të 3 këta persona pretendojnë se Armend Ukiqi i cili kishte mbetur i arrestuar për tu dërguar në burg i kishte thirrë në telefon dhe u kishte tëanë të kthehen ta marrin pasi që të njëjtin po e lirojnë nga stacioni.

Vetura Golf me ngjyrë të bardhë afrohet afër Stacionit Policor ne Graçanicë.

Qëndrim dhe Florin Gërxhaliu qëndrojnë në veturë ndërsa Astrit Idrizi del jashtë veturës dhe më pas Armend Ukiqi vrapon në drejtim të veturës dhe pas tij edhe dy zyrtarë policorë njëri nga ta Aleksandër Kërstiq, i cili nxjerr revolen dhe e plagos Florin Gerxhaliun i cili ishte në veturë.

Sipas këtyre pretendimeve Armend Ukiqit brenda Stacionit Policor të Graçanicës nuk iu kishin lidhur duart dhe nuk iu kishte larguar telefoni gjë e cila edhe e kishte mundësuar ikjen e tij.

Policia e Kosovës ende nuk i ka mbyllur hetimet e këtyre zyrtarëve policorë të cilët me veprimet apo mos veprimet e tyre e kishin mundësuar arratisjen e të ndaluarit nga Stacioni Policor. Policia në një përgjigje për emisionin ka thanë se hetimet janë duke vazhduar.

Faiku, babai i të plagosurit në këtë rast thotë se pikërisht këto veprime të zyrtarëve policorë kanë çuar te plagosja e djalit të tij.

“Krejt problemi është te telefoni që Policia ja ka mundësua me përdor pasi që Armendi i ka thirrur ju ka thanë ejani se po më lirojnë dhe ka ikur nga stacioni”, tha Faik Gërxhaliu.

Edhe Kushtim Gërxhaliu pretendon se Armend Ukiqi e kishte thirrur në telefon vëllain e tij Qëndrim Gërxhaliun.

“Qëndrimi me ka thanë ashtu qysh edhe ka deklaruar se Armendi e ka thirr ne telefon dhe i ka thanë kthehuni me më marrë se po më lirojnë dhe këta janë kthyer”,  tha Gërxhaliu.

Inspektorati Policor i Kosovës kishte konstatuar se zyrtari policor e ka përdorur armën në kundërshtim me ligjin.

“Nga hetimet e para është konstatuar se nuk janë plotësuar kushtet ligjore që zyrtari policor me përdorë armën dhe për këtë atij i kemi bo kallëzim penal ndërsa për cilësimin e veprës ka vendos Prokuroria e për zyrtarët tjerë policorë është duke u marrë drejtoria e standardeve profesionale brenda policisë”, theksoi Armend Preniqi nga IPK-ja.

Emisionin e plotë mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm: