VIDEO - Ministri i Arsimit nuk ndihet përgjegjës për dështimin në PISA

Ministri në detyrë i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqyri Bytyqi, ka thënë se nuk ndihet përgjegjës për rezultatet e Kosovës në testin PISA 2018.

Kosova në këtë test u rëndit e 76, vetëm dy vende larg vendit të fundit.

“Ne nuk premtuar se do ta ndryshojmë rezultatin sepse për të premtuar me e ndryshuar rezultatin duhesh të kesh ndikim për me e ndryshuar rezultatin, ne nuk kemi pasur ndikim për të ndryshuar rezultatin”, ka thënë ai në një intervistë për RTV21.

“Ne kemi qenë optimist se do të kemi rezultat më të mirë për shkak të përgatitjeve shumë të mira për mbajtjen e tesit PISA 2018. Është një alarm i dytë i cili po na tregon që duhet të zgjohemi që të gjithë, jo t’i themi një ministër ky e ka obligim. Nëse flasim individualisht unë si ministër mund të them se asnjë përgjegjësi nuk e kam për testin PISA 2018”, ka vlerësuar ministri në detyre.

“Ne e kemi marr kur ka qenë duke u mbajtur testi PISA, s’kemi pasur mundësi as me përmirësu dhe as me keqësu. Ne jemi si popull eforik, kur ndodhë diçka kemi një vlim të madh të akuzave të pabaza, pa e kuptuar mirë realitetin. Këtu po shfrytëzohen edhe qëllime linçime për politikë”, ka thënë mes tjerash Shyqyr Bytyqi.