Ministri Bytyqi thotë se rezultatet në PISA nuk janë ato që janë pritur

Ministri në largim i Arsimit, Shyqyri Bytyqi, gjatë prezantimit të rezultateve të PISA-s, tha se këto nuk janë rezultate që janë pritur dhe dëshiruar.

Bytyqi ka thënë se nga pjesa e matematikës dhe leximit ka rritje.

“ Nga matematika kemi rezultate më të mira, po ashtu edhe në pjesën e leximit kemi rritje. Ajo çka është vërejtur është se ka rënie tek pjesa e shkencës”, ka thënë Bytyqi.

Ai gjithashtu ka thënë se do të merren raportet e secilës shkollë dhe secilit nxënës që ka marrë pjesë, për të analizuar rezultatin. Ndërsa konsideroi se është bërë një hap i mirë që në vitin 2018 testimi është bërë në sistemin digjital.

Kurse sa i përket përgjegjësisë, ministri Bytyqi tha se duhet të diskutohet në përgjithësi, e jo t’i drejtohet një individi.

“Nga çka kemi thënë presim rezultate më të mira. Këtë e kemi thënë bazuar në organizimin që e kemi bërë. Kush është përgjegjës, duhet të diskutojmë në përgjithësi, nuk është me rëndësi t’i drejtohemi një individi. Ne duhet ta shikojmë sistemin arsimor. Duhet që për çdo kohë të kemi trajnime për zbatimin e kurrikulave”, deklaroi Bytyqi.

Ministri Bytyqi gjithashtu deklaroi se për tre muaj janë bërë vetëm përgatitje teknike për mbajtjen e testit PISA, ndërsa për përgatitje profesionale duhet të ketë një angazhim shoqëror dhe të shtetit në përgjithësi.

Rrena e Bytyqit për përmirësimin në testin PISA 2018