Sindikata e mësuesve s’ndjen përgjegjësi për rezultatet e testit PISA 2018

Sindikata e Bashkuara e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka deklaruar se mësuesit nuk ndjehen  fajtorë pas rezultateve të Testit PISA 2018, ku Kosova përsëri u rendit e treta për nga fundi për cilësi të arsimit.

Kryetari i kësaj sindikate, Rrahman Jasharaj ka thënë se mësimdhënësit janë fajtori më i vogël për këto rezultate.

“Fajtori më i pakët në botë është arsimtari pasi te ne janë bërë eksperimente sepse shkollat tona punojnë me shkumësa dhe përgjegjës janë institucionet e Kosovës sa i përket testit PISA. Ne kemi tekste të cilat kanë gabime shumë të mëdha se aspak s’jemi fajtor ne po ministria dhe po ashtu duhet një bashkëpunim i të gjithëve për arsim më të mirë”, tha Jasharaj.

Ai shtoi se si sindikatë janë munduar që të përmirësojnë cilësinë e arsimit përmes trajnimeve të organizuara për mësimdhënësit.

“Ne si SBAShK bëjmë trajnime për mësimdhënësit, rreth 5 trajnime të certifikuara dhe angazhimi ynë është mjaft i  madh, por sistemi që është krijuar është që mësimdhënësi më nuk ka përkrahje dhe jemi të vetëm, andaj duhet mobilizim i të gjithëve për këtë çështje”, ka shtuar ai në takimin e Këshillit Drejtues të kësaj sindikate që u mbajt sot.

Pavarësisht pritjeve të mëdha, edhe këtë vit sistemi arsimor dhe nxënësit e Kosovës nuk kanë kaluar mirë në testin ndërkombëtar të njohur si PISA.

Në mesin e 79 vendeve, Kosova u rangua  e treta nga fundi dhe me një  rezultat nën mesataren e vendeve pjesëmarrëse. Ajo lë pas vetëm Republikën Dominikane dhe Filipinet.

“PISA”, studimi më i madh ndërkombëtar në botë për arsim ka bërë vlerësimin për njohuritë e nxënësve 15-vjeçar në lexim, matematikë dhe shkencë dhe këto aftësi maten me indeksin e mesatares së OECD që në lexim është 487, në matematikë 489 dhe në shkencë 489.

Por, nxënësit kosovarë këtë vit performuan nën këtë mesatare duke shënuar në lexim 353, në matematikë 366 dhe në shkencë 365.

Kurse, në vitin 2015, në lexim Kosova kishte shënuar 347, në matematikë 362 dhe në shkencë 378.

Kujtojmë se Sindikata e Arsimit ka paralajmëruar greva në lidhje me pagat këtë javë, ndërsa rreth tre javë greva ishin mbajtur vitin e kaluar me kërkesën për rritje të pagave.

(DOKUMENT) Rezultatet e Kosovës në testin PISA 2018

www.kallxo.com