VIDEO: Kontrolli i ATK-së në ordinancën e paregjistruar të infektologut në Pejë

Në Pejë numri i qytetarëve të infektuar me coronavirus po rritet për çdo ditë.

Frika nga infektimi po i shtynë shumë qytetarë të kryejnë kontrolle mjekësore për të kuptuar nëse edhe ata janë të infektuar.

Disa prej tyre po u drejtohen infektologëve, numri i të cilëve në Pejë është i vogël.

Megjithatë,  duket se po ka infektologë që zanatin e tyre nuk po e ushtrojnë në përputhje me ligjin.

Javën që lamë pas KALLXO.com kishte pranuar informacione se njëri nga infektologët e Pejës kishte nisur një biznes për të kryer kontrolle mjekësore në kohë të pandemisë.

Të dhënat tregonin se numër i konsiderueshëm i qytetarëve kontrolloheshin në ordinancën private dhe për kontrolle paguanin 10 euro për të cilat nuk u jepej kupon fiskal.

Në një vizitë që ekipi i KALLXO.com kishte disa ditë më herët ishte konstatuar mungesa e kuponëve fiskalë.

Për të verifikuar tutje KALLXO.com i kishte kërkuar Administratës Tatimore të kontrollojë informacionet nëse biznesi i doktorit ishte në rregull dhe po ofronte kuponë fiskal.

Pas raportimit me urdhër të zv.drejtorit të përgjithshëm të operacioneve, Nijazi Asllani, për të kryer kontrollin në Pejë ishin caktuar dy inspektorë nga Prishtina.

Me të filluar kontrollin inspektorët konstatojnë parregullsitë e para: doktori po punonte edhe pse nuk e kishte regjistruar biznesin.

Përpos parregullsive tatimore, doktori kishte edhe parregullsi të tjera : pacientët i kontrollonte ndërsa nuk po i regjistronte.

Kjo pasi kur inspektorët i kërkojnë librat e pacientëve, doktori deklaron se nuk ka punuar dhe se ka pasur vetëm deri në tre pacientë, mirëpo të dhënat tregojnë të kundërtën.

Dy ditë më parë hulumtuesit tanë kishin verifikuar dhe fotografuar dhjetëra pacientë të cilët prisnin në rend të t’u kontrolluar në këtë ordinancë.

Sipas ligjit veprimtari të tilla shëndetësore duhet të kryhen nga biznese të regjistruara. Puna pa regjistruar biznesin dhe ordinancën nuk është e lejuar dhe inspektorët e paralajmërojnë se kjo veprimtari është e ndaluar.

Gjatë këtyre katër muajve pandemi platforma KALLXO.com kishte pranuar dhe trajtuar mbi 100 raportime për parregullsi tatimore.

Deri më tani nga raportimet e qytetarëve në KALLXO.com, ATK ka shqiptuar mbi 110 mijë euro gjoba për bizneset vetëm gjatë vitit 2020.