(VIDEO) Ishte deklaruar i vdekur në Amerikë, ekstradohet në Shqipëri i dënuari me 25 vite burg

Një 54-vjeçar shqiptar është deportuar në Shqipëri pas arrestimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i cili sipas një vendimi të lëshuar nga një gjykatë shqiptare në 2013-ën, deklarohej si i vdekur në vitin 2003 në Amerikën Latine.

Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, këtë shtetas, Gjykata e Salernos, Itali, e ka dënuar me 25 vjet burgim, për bashkëpunim në organizatë kriminale, rrëmbim personi, tentativë zhavatjeje, shkelje të ligjit për armët dhe trafik droge në sasi të mëdha.

“Departamenti i Policisë Kriminale, në bashkëpunim të ngushtë me Agjencinë DSS/OCIU (Shërbimi Diplomatik i Sigurisë/Njësia e Hetimeve Kriminale) pranë Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë dhe me agjencinë tjetër federale amerikane DHS/ICE-ERO (Departamenti Sigurisë Kombëtare/Agjencia ligjzbatuese e Emigracionit dhe Doganave), prej disa kohesh kanë punuar së bashku për lokalizmin dhe arrestimin e shtetasit shqiptar në kërkim ndërkombëtar: Leonard Mnella alias Leon Kolmnela alias Leonard Kolmnela, 54 vjeç”- thuhet në njoftim.

Leonard Mnella, sipas Policisë, do të jetë subjekt hetimesh në Shqipëri, për ngjarje kriminale të ndodhura kohë më parë në Shqipëri.

Departamenti i Policisë Kriminale, në bashkëpunim me dy agjencitë amerikane, nëpërmjet informacioneve të shkëmbyera, kanë arritur të identifikojnë, të lokalizojnë dhe të arrestojnë shtetasin shqiptar Leonard Mnela, në Miçigan, Shtetet e Bashkuara, dhe kane bërë të mundur deportimin e tij në Shqipëri.

Policia thotë se, do të vazhdojë puna, në bashkëpunim me prokurorinë, për hetimin e thelluar të veprimtarive kriminale të kryera nga ky shtetas.