VIDEO: Ekipi i KALLXO.com kërcënohet dhe pengohet në Rahovec

Gjatë ditës së sotme, ekipi i KALLXO.com është penguar në punë deri sa ishte duke e trajtuar rastin e një parkingu në komunën e Rahovecit, më saktësisht në afërsi të teqes “Haxhi Shejh Iljazi Rifai” në Rahovec.

Ngjarja ka ndodhur në lagjen “Bekim Sylka”.

Banorët e kësaj lagje kanë raportuar në KALLXO.com se Komuna i ka dhënë leje për shfrytëzim të hapësirave të parkingut shehut Mehdi Shehu pa pëlqimin e banorëve dhe Asamblesë Komunale.

KALLXO.com ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe me të arritur aty është kërcënuar nga një person që ka dalë nga teqja dhe i është drejtuar me fjalët: “Këqyr se mundesh me rrnu hala se i ri je”.

 

Pas kësaj, ka dalë edhe vetë shehu, Mehdi Shehu, dhe ka penguar ekipin, gazetaren Arbisa Shefkiu dhe kamermanin, Denis Sllovinja, që ishin duke marrë pamje dhe i është drejtuar me fjalët se nuk kanë të drejtë të xhirojnë këtë hapësirë dhe ua ka ndalur punën.

Ekipi e ka paraqitur rastin në Polici dhe pas marrjes së deklaratave të tyre, prokurori i rastit, Anton Hasanaj e ka mbyllur rastin dhe ka deklaruar se nuk ka elemente të veprës penale.

Mbyllja e rastit nga prokurori ka ardhur pa i lexuar deklaratat e gazetarëve, pa i vlerësuar provat dhe vetëm me anë të telefonit.

Sipas të dhënave të deritanishme nuk është marrë në pyetje fare personi i cili ka kërcënuar ekipin.