VIDEO - Dështon intervistimi i Blerim Devollit dhe Arian Hasanit nga Komisioni Hetimor i Privatizimit

Komisioni Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë ka dështuar të intervistojë Blerim Devollin, pronar i kompanisë “Devolli Group” si dhe Arian Hasani, blerës i Fabrikës së Gypave, Ferizaj pasi që të dy nuk e kanë konfirmuar pjesëmarrjen në komision.

Nënkryetrari i Komisionit Gazmend Bytyçi nga PDK tha se nuk kanë pasur konfirmim për këta të dy prandaj pika propozuar që të vazhdohet vetëm me raportimin e Skënder Hasani, Kryesues i Njësisë së Monitorimit për Kontroll dhe Administrim Direkt në AKP nga ora 14:00.

“Deri sa nuk kanë konfirmuar që të dy blerësit e këtyre dy kompanive unë propozoj që në pikë 3 nëse do të mundemi ta riaranzhojmë nga ora 14:00”, tha ai.

Deputeti Bekë Berisha nga AAK dhe deputetja Doruntinë Maloku Kastrati, nga LDK propozuan që intervistat e dështuara të riaranzhohen për një ditë tjetër.

Nënkryetari i komisionit tha se sekretaria ka tentuar të gjejë forma të komunikimit, por sipas tij nuk ka arritur të gjejë numër telefoni, ndërsa, e-mailet që i ka gjetur në web faqet e tyre i ka përdorur.

Deputeti Sejdi Hoxha propozoi që ftesa t’u dërgohet me shkrim.

“Nëse nuk lajmërohen në e-mail, unë propozoj ftesa të dërgohet me shkrim”, shtoi ai.

Nga ora 14:00 pritet të raportojë Skënder Hasani, Kryesues i Njësisë së Monitorimit për Kontroll dhe Administrim Direkt në AKP.