Dështon të mbahet seanca ndaj të akuzuarit se raportoi rrejshëm pagat e punëtorëve në ATK

Në Gjykatën e Mitrovicë sot ishte paraparë që të vazhdoj seanca e gjykimit ndaj të akuzuarit Halil Ahmeti.

Ahmeti nga Prokuroria e Mitrovicës akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare, pasi sipas akuzës nuk i kishte raportuar saktë pagat e shtatëmbëdhjetë punëtorëve të kompanisë së tij në ATK.

Më këtë iu kishte shkaktuar dëme punëtorëve në shumë të përgjithshme prej 14,854.26 euro, raporton Kallxo.com.

Mirëpo seanca e sotme ka dështuar të mbahet për shkak se në gjykatë nuk ishte prezent i akuzuari Halil Ahmeti.

Gjyqtari i rastit Radosllav Markoviq ka njoftuar se nuk kishte prova se i akuzuari kishte pranuar ftesën në mënyrë të rregullt, derisa në gjykatë ishte prezent prokurori Njazi Rexha.

Seanca është shtyrë për datën 14 qershor 2021.

Sipas aktakuzës, gjatë viteve 2013-2016, në cilësinë e pronarit të kompanisë ShPK “Lili Grop”, me seli në Mitrovicë, kishte tejkaluar kompetencat e tij më qëllim të përfitimit të dobisë për vete në kundërshtim më ligjin për Administratat Tatimore.

Ahmeti akuzohet se kishte bërë dorëzim të pasaktë (jo komplet), të pasqyrave të informatave për punëtoret në ATK.

Sipas akuzës i pandehur pagën bruto për vitet 2013, 2014, 2015 dhe 2016, për punëtorët: Hasime Hajra, Mehdi Hyseni, Hidajete Beka, Sevdije Dibrani, Sebahate Kuqi, Miradije Ademi, Gyltene Sefa, Mevlude Haxha, Ganimete Skenderi, Florina Rexhepi, Sheribane Mikushnica, Qamile Ferizi, Aferdita Jashari, Sadete Latifi, Fahrije Peci, Hala Rexhepi dhe Remzi Aliu, e kishte deklaruar në ATK 216 euro, e që sipas kontratës kornizë për secilin punëtor kishte qenë 250 euro.

Me këtë veprime punëtorët e lartcekuri ishin dëmtuar për disa vite në pagë në shumë të përgjithshme prej 14,854.26 euro.

Më këtë, Ahmeti po akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.