Dështon seanca ku i akuzuar është Liburn Aliu

Liburn Aliu, Ardian Olluri, Nazife Krasniqi, Bahtie Uka, Mimoza Berisha – Prestreshi si dhe Zejnulla Rexhepi janë të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Mirëpo seanca e sotme ka dështuar në mungesë të Bahtie Uka, avokati i së cilës kishte lajmëruar gjykatën se e njëjta për shkaqe shëndetësore nuk mund të marrë pjesë në seancë.

Në mungesë të kushteve ligjore, seanca është shtyrë për datën 30 të këtij muaji.

KALLXO.com ka raportuar me datë 23.03.2021 se në një rast me Aliun, të akuzuar janë edhe Ardian Olluri, Nazife Krasniqi, Bahtie Uka, Mimoza Berisha Prestreshi si dhe Zejnulla Rexhepi.

Në po atë ditë Prokuroria ka dalë me një komunikatë ku ka treguar se për çfarë akuzohen ministri i tanishëm dhe zyrtarët tjerë.

“Prokurori i Shtetit, me datë 17.04.2019, ka marrë aktvendim për fillimin e hetimit, me ç’ rast i ka zhvilluar të gjitha hetimet lidhur me këtë rast, ka dëgjuar të gjithë të pandehurit veç e veç, (me datë 05.08.2019 është dëgjuar i pandehuri L.A) dhe në bazë të provave dhe dëshmive të siguruara më 24.07.2020, ka ngritur aktakuzë për veprën penale ‘Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’, nga neni 422 të KPRK-së. Të njëjtën aktakuzë e ka proceduar në gjykatën kompetente për procedim të mëtejmë”, thuhet në komunikatë.

Ndërkaq, Liburn Aliu në një prononcim të shkurtër për KALLXO.com ka thënë se për herë të parë po dëgjon për këtë gjë.

“Nuk  e di. Jo [s’jam në dijeni]. Për herë të parë po e nij”, tha shkurt Liburn Aliu.

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu akuzohet për veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare për kohën kur ishte drejtor i Drejtorisë së Urbanizmit në Komunën e Prishtinës.

https://kallxo.com/lajm/aktakuza-ndaj-ministrit-aliu-psd-me-aksion-para-qeverise/