VIDEO - Deputeti i LVV thotë se shkollat e mesme të Deçanit kanë organizuar ekskursione edhe pse janë në grevë

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Agon Batusha ka thënë se nxënësit e shkollave të mesme të komunës së Deçanit kanë shkuar në ekskursion, ani pse vazhdojnë ta mbajnë grevën.

Batusha ka thënë se është mirënjohës për mësimdhënësit në shkollat që kanë thyer grevën dhe po e mbajnë procesin mësimor.

“Informatat na erdhën se në shkollat e mesme të Deçanit kanë shkuar në ekskursion. Pra, greva vazhdon, por në ekskursion kanë shku” – tha deputeti Batusha.

Tutje deputeti i LVV-së teksa ka njoftuar për një shkollë në Novosellë të Gjakovës që e ka filluar mësimin sot, ka thënë se shkollat po i marrin këta hapa për hatër të fëmijëve.

Ai ka thënë se Sindikata e Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë është duke ushtruar presion ndaj mësimdhënësve që po e mbajnë mësimin.

“Përveç që nuk kanë transparencë të brendshme, SBASHK-u përdor edhe metoda tjera të presionit ndaj mësimdhënësve që dëshirojnë të mbajnë mësim. Ka shumë mësimdhënës që e kanë filluar mësimin dhe po përballen me presion, sepse nuk po ua japin librat nxënësve” – ka thënë tutje deputeti Batusha.

Kuvendi i Kosovës për të dytën herë është duke zhvilluar debat parlamentar lidhur më grevën në Kosovë.

Greva në sektorin publik ka filluar më 25 gusht.

Sindikalistët ndër të tjerash po kërkojnë rritje të pagës prej 100 euro, derisa të hyjë në fuqi Projektligji për Pagat.