Mitrovica e Veriut. Foto: Atdhe Mulla

Vetëm një parti deri më tani ka aplikuar për certifikim për zgjedhjet e jashtëzakonshme në Mitrovicë të Veriut

Vetëm një parti deri më sot ka dorëzuar kërkesë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për certifikim për pjesëmarrje në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të Komunës së Mitrovicës së Veriut.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

Elezi ka thënë se kërkesa është paraqitur në emër të subjektit politik Iniciativa Qytetare Mitrovica.

“Deri më sot, në orën 16:00, pra e premte 18 nëntor, KQZ-ja ka pranuar 1 kërkesë për certifikim për pjesëmarrje në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunës së Mitrovicës së Veriut. Kjo kërkesë është paraqitur në emër të subjektit politik Iniciativa Qytetare Mitrovica. Pra, ky subjekt politik ka dorëzuar kërkesën për pjesëmarrje vetëm në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunës së Mitrovicës së Veriut”- ka thënë Elezi.

Ai thotë se afati për certifikimin e subjekteve politike dhe kandidatëve për pjesëmarrje në zgjedhje ka filluar më 15 nëntor dhe do të përfundojë më 21 nëntor 2022.

“Pra, të gjitha subjektet politike (partitë politike, kandidatët e pavarur, koalicionet dhe iniciativat qytetare) të cilat duan të marrin pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar në këto katër komuna kërkesat për certifikim duhet t’i dorëzojnë në KQZ, përkatësisht në Zyrën për Regjistrim, Certifikim dhe Kontroll Financiar të Subjekteve Politike (ZRCKFSP), gjatë orarit të punës nga ora 08:00 deri në orën 16:00” – theksoi Elezi.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka caktuar 18 dhjetorin  datë të mbajtjes së zgjedhjeve  të jashtëzakonshme për kryetarë të komunave Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan.

Dorëheqja e kryetarëve të 4 komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës erdhi pas suspendimit të Nenad Gjuriqit nga pozita e drejtorit të Policisë së Kosovës të Drejtorisë Mitrovicë Veri. I njëjti u suspendua pasi u dyshua për rezistencë dhe refuzim të lëshimit të fletë-qortimeve për pronarët e veturave me targa ilegale.

Dorëheqje pati në Polici, sistem gjyqësor, nivel lokal, etj.