Ilustrim Foto: Policia e Kosovës

Vetëm në 24  orët e fundit Policia sekuestroi mbi 10 armë zjarri

Gjatë ditës së djeshme një ngjarje tragjike u raportua që ndodhi në fshatin Rufc i Vjetër në Lipjan, e që dyshohet nga hetimet e para preliminare se babai, vrau djalin e gruan e më pas edhe veten.

Në vendin e ngjarjes policia gjeti një armë me katër gëzhoja që dyshohet se u përdor për të kryer veprën penale ndërsa në një dhomë tjetër u sekuestrua një armë tjetër me dy fishekë.

Dy armët u sekuestruan për të vazhduar tutje me procedurat hetimore ndërsa në raportin policor nuk përmendet nëse të njëjtat kanë qenë me leje apo pa leje duke u mbajtur nga kryefamiljari që dyshohet se kreu veprën penale.

Në anën tjetër, një rast tjetër ka ndodhur brenda 24 orëve të fundit e që dyshohet se një 20 vjeçar kishte shtënë me armë zjarri të tipit “TT” dhe kishte gjuajtur një granatë dore e cila nuk kishte shpërthyer në oborrin e një diskoteke në Gjilan.

Në bastisjen e shtëpisë ku jetonte i riu policia gjeti edhe armë të tjera të cilat i ka sekuestruar e që ishin në pronësi të babait të tij.

Ngjarjet ku armët sekuestrohen pa leje, zënë vend në çdo raport policor.

Vetëm në 24 orët e fundit, 13 armë janë sekuestruar nga Policia e Kosovës ne lokacione të ndryshme nga persona të ndryshëm.

Përveç armëve që u sekuestruan në Lipjan e Gjilan, policia ka regjistruar edhe ngjarje të tjera e ku pati armë të sekuestruara.

Gjashtë armë të tjera janë sekuestruar në 24 orët e fundit në Prishtinë në lagje të ndryshme.

Një armë është sekuestruar në rrugën “Epiri” në orët e hershme të mëngjesit të ditës së djeshme, kur policia fillimisht kishte ndaluar në një pikë kontrolli një veturë dhe në të kishin gjetur një armë me karikator dhe 15 fishekë.

Dy armë zjarri janë sekuestruar edhe gjatë kontrolleve që janë bërë në një pikë kontrolli të policisë në lagjen “Veternik”.

Në njërin rast janë gjetur edhe 24 fishekë.

Një tjetër rast i regjistruar është ai në rrugën “Ahmet Krasniqi”. Mbrëmë rreth orës 19:40 një person ishte arrestuar ndërsa gjatë kontrollit të veturës së tij është gjetur një revole. E njëjta është sekuestruar ndërsa i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

Në lagjen Emshir policia kishte marrë informacion se në një aheng familjar u gjuajt edhe me armë zjarri.

Njësitet policore sekuestruan një revole me një karikator ndërsa me vendim të prokurorit i dyshuari u lirua në procedurë të rregullt.

Në rrugën “Demir Demiri” në Prishtinë mbrëmë rreth orës 22:00 një i dyshuar është arrestuar pasi ishte kapur me armë e që i kishte skaduar leja e posedimit. Përveç armës u sekuestrua edhe një karikator me 6 fishekë.

Në rastin e ndodhur në Gjilan, policia në shtëpinë e 20 vjeçarit kishte sekuestruar tri armë gjuetie, një pistoletë dhe 16 fishekë, në pronësi të prindit të tij ndërsa pistoleta e tipit “TT” dyshohet se ishte përdorur për të gjuajtur në oborrin e diskotekës.

Në Prizren në fshatin Lubinjë e Epërme dje rreth orës 17:00, policia kishte pranuar një informacion për një rast ku ishin përfshirë dy persona. Ndaj tyre është iniciuar vepra penale e dëmit ose shkatërrimit të pasurisë dhe armëmbajtje pa leje.

Kjo pasi që policia kishte gjetur gjatë një kontrolli dhe kishte konfiskuar një armë gjuetie.