‘Vera andrron detin’ fiton çmimin në vlerë prej 50 mijë euro në Sarajevë  

Filmi i gjatë artistik, ‘Vera andrron detin’ (Vera dreams of the Sea) me regji të Kaltrina Krasniqit, me skenar të Doruntina Bashës, i cili është në fazën e postproduksionit, dhe që ishte pjesë e programit ‘Work in Progress’ në kuadër të festivalit të filmit në Sarajevë fitoi çmimin kryesor në këtë kategori. 

Vlera e këtij çmimi arrin në 50 mije euro. 

Filmi ka për personazh kryesor një 64-vjeçare përkthyese e gjuhës së shenjave, që jeton në Kosovë. Ajo e sfidon burrin e saj patriarkal me qëllim që të mbrojë vajzën e saj të cilën ai e ka mohuar. 

Filmi “Vera Andrron Detin” me producent Shkumbin Istrefin, është bashkëprodhim i Puntorisë Kreative “Isstra” (Kosovë), “Dream Factory” (Maqedoni e Veriut) dhe “Papadhimitri Production” (Shqipëri), dhe është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe Agjensioni i Filmit i Maqedonisë. 

Edicioni i sivjetmë i Festivalit të Fimit në Sarajevë, “Sarajevo Film Festival” ka nisur më 14 gusht dhe mbyllet nesër, më 21 gusht 2020. 

Këtë edicion në programin zyrtarë të Festivalit të Sarajevës garuan 4 filma kosovarë:  “Exil”, “Galaktika e Andromedës”, “Zana” dhe “Vera andrron detin”.