Foto: Qendra Kinematografike e Kosovës, Facebook

"Vera andrron detin" merr dy çmime në Bienalen e Venedikut

Filmi “Vera andrron detin” me regji të Kaltrina Krasniqit ka marrë dy çmime në Bienalen e Venedikut.

Filmi kosovar që pati premierën botërore në këtë bienale ka fituar çmimin “Inclusion Edipo Re” dhe çmimin “Autoret gra nën 40 vjeç”.

Kështu u bë e ditur në një njoftim të Qendrës Kinematografike të Kosovës.

Çmimet janë dhënë nga asociacionet e regjisorëve dhe profesionistëve të filmit të akredituara në kuadër të Festivalit të Venedikut.

Filmi flet për Verën, gruan e cila lufton një realitet të vrazhdë pabarazish gjinore të rrënjosura thellë në shoqëri edhe në ditët e sotme.

Në film luajnë: Teuta Ajdini Jegeni, Alketa Syla, Refet Abazi, Astrit Kabashi, Arona Zyberi, Aurita Agushi, Ilire Vinca, Xhevat Qorraj, etj.

 Edicioni i 78-të i Festivalit “Venice International Film Festival” do të zgjasë deri më 11 shtator 2021.