Rektorati i Universitetit të Prishtinës | Foto KALLXO.com

Vdes profesori i UP-së, Ilir Limani

Rektorati i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” ka njoftuar për vdekjen e profesorit, Ilir Limani.

Me këtë rast, rektori i UP-së, Marjan Dema i ka shprehur ngushëllime familjes Limani.

“Me pikëllim të thellë e pranuam lajmin që prof. dr. Ilir Limani nuk është më në mesin tonë. Prof. dr. Ilir Limani ka kontribuar në mësimdhënie në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike që nga viti 1979, fillimisht si ligjërues, pastaj profesor asistent, e në vitet e fundit si profesor i asocuar. Profesor Limani, njëherësh, ka ushtruar funksione të ndryshme menaxheriale në kuadër të UP-së, ku ndër të tjerash ka qenë për dy mandate dekan i Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike në UP”, thuhet në njoftimin e Rektoratit.

“Ne jemi krenar që patëm rastin që profesor Limanin ta kemi pjesë të stafit akademik të Universitetit. Kolegët e universitetit, si dhe studentët e tij, do të jenë gjithmonë mirënjohës për kontributin e tij akademik. Ai përherë do të mbahet në mend si njeri me personalitet të matur, me etikë akademike dhe profesionale, si dhe do të kujtohet si shembull për gjeneratat e reja. Në emër të organeve drejtuese dhe menaxhuese, studentëve, stafit akademik dhe administrativ të UP-së, u shpreh ngushëllimet më të sinqerta!”, thuhet në fund të njoftimit.