Vdes ish-kryetari Akademisë së Shkencave të Shqipërisë 

Akademia e Shkencave e Shqipërisë ka njoftuar se ka vdekur ish-kryetari i saj, Gudar Beqiraj. 

Sipas njoftimit të kësaj akademia, Beqiraj vdiq nga një sëmundje e papritur.  

“Gudar Beqiraj ishte një nga anëtarët e Asamblesë me më shumë gjurmë në jetën institucionale të Akademisë së Shkencave. Ndarja e tij nga jeta është një humbje e madhe për Akademinë tonë të Shkencave, për bashkësinë e studiuesve të fushave ku ai veproi, për miqtë e shumë në universitete brenda dhe jashtë vendit, për qytetarët e shumtë me të cilët e patën lidhur interesat e tij të fuqishme dhe ndjenjat e fisme njerëzore”, thuhet në njoftimin e ASHSH-së. 

Akademik Gudar Beqiraj ka mbaruar studimet në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Shkencave të Natyrës, Departamenti i Matematikës. Ka specializuar në Gjeostatistikë pranë Qendrës së Gjeostatistikës në Fontainbleau, Francë, si dhe në metodat e informatikës së aplikuar në Gjeofizikë në Universitetin Paris VI, Francë.  

Ai është ndër të parët specialistë shqiptarë të formuar në metodat e informatikës së aplikuar në fushën e gjeofizikës (Universiteti Paris VI, Francë), duke vijuar më tej me formimin përmes punës në Universitetin “La Sapienza” (Romë) dhe me drejtimin e projektit informatik katërvjeçar për regjistrimin dhe përpunimin e të dhënave të kadastrës italiane. 

Gudar Beqiraj ka përfaqësuar dijen vendëse në fushën e informatikës aplikative qysh në vitet 1980, si pjesëmarrës në veprimtari të rëndësishme shkencore ndërkombëtare. 

Ishte vlerësues i jashtëm në programe doktorate në Francë, specialist i ftuar për vlerësimin e projekt-propozimeve në kuadrin e programit “Copernicus” të Komisionit Europian, drejtues në projektet e Komisionit Europian “Seeren”, “Seeren2”, “Isotea”, “Seefire”, “See-grid”, “See-grid2”, “See-grid-sci”, “Ict-ëeb-proms”. 

Përveç veprimtarisë shkencore, universitare dhe administrative, Gudar Beqiraj është një personalitet në fushën e sportit të peshëngritjes, si sportist dhe arbitër (duke përfshirë arbitrimin në kategorinë e parë ndërkombëtare), si president i federatës kombëtare të këtij sporti dhe zëvendëspresident i Komitetit Olimpik Kombëtar, si kryesues i delegacioneve shqiptare në lojërat olimpike, kampionatet botërore, lojërat mesdhetare dhe kampionatet europiane e ballkanike.  

Për këtë veprimtari ai është nderuar me diploma nderi nga Presidenti i Komitetit Ndërkombëtar Olimpik, si dhe me “Urdhrin Olimpik” kombëtar.