UNHCR në Kosovë: Refugjatët duhet të binden të qëndrojnë në Kosovë

Komisoni për Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione sot ka mbajtur takim me përfaqësuesit e Misionit të Agjencisë së OKB-së për Refugjatët (UNHCR) për të gjendjen në të cilën gjenden refugjatët në Kosovë.

Në takim u shpërfaqën disa nga problemet me të cilat hasen azilkëkuesit në Kosovë duke filluar nga mungesa e asistimit, barrierat gjuhësore, mungesa e kualifikimeve për t’u integruar në shoqëri, transporti për në qendrat e azilit, përceptimi i gabuar nga qytetarët karshi azilkërkuesve.

Shefi i Misionit të UNCHR-së në Kosovë, Erol Arduc tha që zgjidhja më e mirë për refugjatët në Kosovë, specifikisht ata që strehohen në qendrat e azilit në Vranidoll dhe Magurë është që t’iu dëshmohet që ka perspektivë për jetë në Kosovë.

“Ne jemi të fokusuar në integrimin e refugjatëve. Zgjidhja më e mirë për refugjatët është që të rrinë në Kosovë. Në Kosovë duhet t’i bindim njerëzit të rrinë në Kosovë duke iu dëshmuar që në Kosovë ka perspektivë”, tha Arduc.

Kryetarja e Komisionit, deputetja Duda Balje tha që për Kosovën është shumë e rëndësishme që të fillojnë nga minimumi që të arrijnë te maksimumi për të drejtat jetësore të refugjatëve.

“Dua të di më shumë për fëmijët dhe edukimin dhe shëndetin e  fëmijëve. Në çfarë gjendje është situata e fëmijëve azilkëkërkues”, e pyeti Balje, shefin e misonit të UNCHR-së, Erol Arduc.

Barduc tha se kanë filluar të ndërtojnë struktura të cilat kanë fokus trajtimin e fëmijëve, kanë thirrur mbledhje dhe janë në proces të implementimit të strukturave për ta.

Ndërkaq, Merita Ahma nga UNCHR- tha se fëmijët kanë kujdes të veçantë në qendra të azilit dhe nuk e kanë problem që fillojnë arsimimin.

“Një azilkërkues në Kosovë mundet menjëherë të filloj mësimin në Qendrën e Azilit në fshatin Magurë. Me legjislacion iu takon por edhe kjo është në praktikë” tha ajo.

Anëtarja e Komisionit, deputetja, Fjolla Ujkani kërkoi të dijë se cilat janë kritikat e UNCHR-së për refugjatët në Kosovë, duke kërkuar sugjerime të cilat do të tentojnë t’i shtyjnë përpara në Kuvend.

“Kryesorja është qasja. E dyta është asistenca edhe pse ky proces po zgjat me muaj. Asistenca rapide apo ad hoc ështe e dyta. Është keqpërceptimi se ata janë të dhunshëm. Refugjatët duhet të gjithëpërfshihen në të gjitha sferat e jetës”, tha Arduc.

Më 20 qershor ka qenë Dita Botërore e Refugjatëve. Sipas raportit të fundit të OKB-së, më shumë se 82 milionë njerëz janë zhvendosur, megjithë mbylljen e kufijve nga shumë vende për shkak të pandemisë së koronavirusit. Ky është numri më i lartë i refugjatëve i regjistruar ndonjëherë.