Pamje nga një aeroport në Nju Jork - Foto: REL/AFP

Ulet nën 1 milion numri i amerikanëve që pretenduan se janë të papunë

Numri i amerikanëve që kanë pretenduar se kanë mbetur të papunë ka rënë nën 1 milion për herë të parë prej muajit mars.

Rreh 963,000 persona kanë kërkuar qasje në përfitime nga shteti javën e kaluar, për dallim nga 1.2 milion sa kanë qenë një javë më parë, ka thënë Departamenti amerikan i Punës.

Shifrat kanë rënë dukshëm në krahasim me 6.9 milionë kërkesa të tilla që ishin bërë në muajin mars.

Departamenti i Punës në Shtetet e Bashkuara ka thënë që më shumë se 28 milionë persona – gati një në pesë punëtorë amerikanë – ende janë duke marrë përfitime nga shteti që javën e 25 korrikut.

Para pandemisë me koronavirus, numri më i madh i personave që kanë thënë se kanë mbetur pa punë ka qenë 695,000 më 1982.

Shkalla e papunësisë aktualisht në SHBA është 10.2 për qind, në krahasim me 14.7 për qind sa ishte raportuar në muajin prill.

Ekonomistët kanë thënë se rruga e rimëkëmbjes ekonomike ende nuk është e qartë dhe ka mundësi të përkeqësimit pasi një pagesë prej 600 dollarëve për personat pa punë, ka skaduar si përfitim nga ana e shtetit.

Bisedimet për ndarje të fondeve për këtë çështje kanë përfunduar pa marrëveshje javën e kaluar në Uashington./REL