Flamuri i NATO-s.
Ukraina thotë se NATO po mashtrohet nga Rusia
Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, ka akuzuar të shtunën aleancën e NATO-s për përkulje ndaj presionit rus.
Këto akuza ai i bëri duke komentuar refuzimin e anëtarëve e NATO-s që të zbatojnë një zonë të ndaluar fluturimi mbi Ukrainë.
“NATO nuk është forca që ukrainasit e kishin imagjinuar më parë”, shtoi Kuleba.
Duke folur në televizionin ukrainas, Kuleba tha gjithashtu se ishte i hapur për bisedime me homologun e tij rus Sergei Lavrov, por vetëm nëse këto negociata do të ishin “domethënëse”.
Edhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha më 4 mars duke thënë se refuzimi i NATO-s për të futur një zonë ndalim-fluturimi tregon “dobësi” dhe mungesë uniteti.
“Të gjithë njerëzit që vdesin nga kjo ditë e tutje do të vdesin gjithashtu për shkakun tuaj, për shkak të dobësisë suaj, për shkak të mungesës suaj të unitetit”, tha ai.
“Aleanca i ka dhënë dritën jeshile bombardimeve të qyteteve dhe fshatrave të Ukrainës, duke refuzuar krijimin e një zone ndalim-fluturimi”, tha Zelensky.
Pas një takimi të ministrave të Jashtëm të NATO-s në Bruksel, më 4 mars, shefi i aleancës, Jens Stoltenberg, tha se avionët e saj nuk duhet të fluturojnë në hapësirën ajrore të Ukrainës gjatë konfliktit me Rusinë, pavarësisht thirrjeve të Kievit për të zbatuar një zonë ndalim-fluturimi mbi këtë vend.
Udhëheqësit perëndimorë, deri më tani, e kanë hedhur poshtë idenë, nga frika se kjo do të çonte në përshkallëzim më të madh të luftës./REL