Udhëheqësit e Polonisë, Çekisë dhe Sllovenisë vizitojnë Ukrainën

Udhëheqësit e Polonisë, Republikës Çeke dhe Sllovenisë po udhëtojnë për në Kiev të Ukrainës, i cili aktualisht është nën sulme zjarri, në një mision të Bashkimit Evropian për të treguar mbështetje për Ukrainën ndërkohë që pushtimi i Rusisë po intensifikohet.

Kryeministri çek Petr Fiala tha në një postim në Twitter: “Qëllimi i vizitës është të shpreh mbështetjen e qartë të Bashkimit Evropian për Ukrainën dhe lirinë dhe pavarësinë e saj”.

Atij do t’i bashkohen kryeministri slloven Janez Janša, kryeministri polak Mateusz Morawiecki dhe Jaroslaë Kaczynski, i cili është zëvendëskryeministër për sigurinë i Polonisë, por edhe kreu i partisë konservatore në pushtet.

Ofensiva e Rusisë në Ukrainë u afrua më pranë Kievit qendror të martën, me një seri sulmesh që goditën një lagje banimi në kryeqytet ndërsa të dyja vendet planifikonin një ditë të dytë bisedimesh.

Sot, është dita e 20-të e pushtimit rus të Ukrainës – lufta e parë e madhe tokësore në Evropë në dekada.

Presidenti rus, Vladimir Putin ka nisur, sipas tij, një operacion “special” për “çmilitarizimin” e Ukrainës.

Sulmi i Moskës ka nisur në orët e para të 24-shkurtit.

Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në gjithë botën.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës duke e dënuar sulmin dhe janë zotuar se do ta mbajnë Rusinë përgjegjëse për këtë luftë. /AP