Afera e korrupsionit në drejtësi, ish-kryeprokurori i Apelit tregon a ishte përgjuar

Biznesmeni Sali Dakaj ka vendosur ta japë versionin e tij për pretendimet e tij se i dha 150 mijë euro që lënda e një borxhi prej 3.5 milionë euro të kthehet në favor të tij.

Dakaj ka pranuar të bashkëpunojë me emisionin “Kallxo Përnime” dhe të filmojë e incizojë takimet për të arritur të dokumentojë se si i dha paratë, si iu premtua që lënda do të zgjidhej dhe si arriti të ulej në takim me në atë kohë kryeprokurorin e Apelit, Haxhi Dërgutin.

Gjatë këtyre takimeve Haxhi Dërguti e pranon para Dakajt se ai e ka ditur se ka qenë duke u përgjuar pasi, siç thotë ai vetë, një polic ka shkuar dhe i ka treguar.

Dërguti këto komente i bëri kur i tregonte Dakajt se pse nuk ia ka hapur telefonin për të diskutuar për lëndën e këtij të fundit.

Kur u pyet nga emisioni se pse ka pohuar kështu në video-incizimet dhe si e mori vesh që ishte përgjuar, Dërguti tha se nuk e ka ditur këtë dhe se e ka pohuar vetëm për justifikim.

“Nuk e di se kam qenë në përgjime, vetëm për justifikim mos me kontaktu me të se më shqetësojke” – tha Dërguti.

Se a ka qenë duke u përgjuar Haxhi Dërguti, “Kallxo Përnime” e ka pyetur edhe Prokurorinë e Shtetit. Por, ky institucion, duke u thirrur në legjislacionin në fuqi, nuk ka treguar nëse Dërguti ka qenë duke u përgjuar.

“Në bazë te nenit 20 paragrafi 2 te Ligjit për përgjimin e komunikimeve elektronike asnjë informatë për caqet e përgjimit dhe për mënyrën si kryhen përgjimet nuk duhet të raportohet apo në ndonjë mënyrë të vihet në dispozicionin e publikut apo personave të paautorizuar, përveç nëse është e kërkuar me ligj, ndërsa paragrafi 3 i këtij neni ka parashikuar se çdo e dhënë e mbledhur, e ruajtur apo e transmetuar në lidhje me një përgjim duhet të mbrohet në atë mënyrë që të parandalohet dhe të ndalohet përdorimi i paautorizuar ose i paligjshëm i një të dhëne të tillë, dhe do të trajtohet sipas standardeve të këtij ligji dhe ligjeve tjera të aplikueshme” – thuhet në përgjigjen e Prokurorisë së Shtetit.

Se a ka qenë duke u përgjuar Haxhi Dërguti nuk ka treguar as Policia e Kosovës

“Referuar kërkesës suaj ju informojmë se, Policia e Kosovës bazuar në procedurat e parapara ligjore, ligjet në fuqi nuk ka autorizim për të dhënë apo konfirmuar kërkesat e natyrës së tillë” – thuhet në përgjigjen e Policisë.

Mbrëmë është shfaqur pjesa e parë e hulumtimit të një rasti të dyshuar të korrupsionit, në të cilin pretendohet se u përfshinë njerëz të sistemit të drejtësisë, të politikës dhe biznesmenë.

www.kallxo.com