Ilustrim

U. d. i drejtorit të Policisë kërkon angazhim të shtuar në luftën kundër COVID-19

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, ka mbajtur një takim virtual me drejtorë të departamenteve dhe Drejtorive Rajonale Policore (DRP), përfshirë Drejtoritë Rajonale të Policisë Kufitare.

Sipas njoftimit thuhet se tema kryesore që u diskutua është situata epidemiologjike në vend e trajtuar në aspektin policor.

Mehmeti kërkoi angazhime të shtuara të udhëheqësve të DRP-ve në zbatim të ligjit për ‘ Parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19’, pjesa që i përket policisë.

Më tej thuhet se ai, ndër të tjera kërkoi menaxhim më efikas me personelin policor dhe po ashtu potencoi se “diplomimi i gjeneratës së re të PK-së në fundjavë do të jetë një ndihmesë e madhe për punën në teren dhe kërkoi që policët e ri, të  angazhohen menjëherë në teren në dy ndërrime”.

“U.d. drejtori i Përgjithshëm, z. Mehmeti, foli edhe rreth çështjeve logjistike përfshirë furnizimi më vetura të reja të cilat janë një ndihmesë teknike në kryerjen e detyrave policore. Po ashtu, kërkoj edhe angazhime e aktivitete më të mëdha lidhur me rastet e emigrantëve që vijnë nga vendet e lindjes së afërt”, thuhet në komunikatë.