Trump kërcënon Irakun me sanksione nëse trupat amerikane dëbohen

Presidenti amerikan, Donald Trump ka paralajmëruar sanksione të ashpra kundër Irakut, pasi parlamenti i saj u bëri thirrje trupave amerikane të largohen nga vendi.

“Ne kemi një bazë ajrore jashtëzakonisht të shtrenjtë që është atje. Kushton miliarda dollarë për të ndërtuar. Ne nuk largohemi nëse nuk na paguajnë për këtë”, u tha ai gazetarëve, raporton BBC.

Deputetët irakianë kanë votuar dje pro largimit të ushtarëve amerikanë nga Iraku.

Ky vendim vjen pas eliminimit nga Shtetet e Bashkuara të gjeneralit iranian Qasem Soleimani përmes një predhe të hedhur nga një dron amerikan në periferi të Bagdadit.

E paraqitur nga Washingtoni si një kundërpërgjigje ndaj sulmit kundër ambasadës amerikane në Bagdad, më 31 dhjetor, kjo vrasje e shënjestruar ka tronditur opinionin publik irakian: që disa ditë po zhvillohen protesta, ku po bëhet thirrje për largimin e 5.200 ushtarakëve të vendosur nga ShBA në Irak për të luftuar kundër ISIS-it.

Soleimani, 62 vjeçar, kryesonte operacionet ushtarake iraniane në Lindjen e Mesme dhe u vlerësua si një terrorist nga ShBA.

Vrasja e gjeneralit iranian, deputetët irakianë kërkojnë largimin e forcave amerikane