Thaçi i ashpër ndaj Rakiqit për mungesën e flamurit të Kosovës në takime

Që nga dita kur e ka marrë detyrën e Zëvendës Kryeministrit dhe ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal në qeverinë Hoti, Goran Rakiq, ka publikar disa fotografi nga takimet e tij në të cilat nuk shihet askund flamuri i Kosovës.

Ligji për përdorimin e simboleve shtetërore të Kosovës, neni 4, pika 4.3 thotë se Flamuri shtetëror i Republikës së Kosovës përdoret në rastet e takimeve ceremoniale të përfaqësuesve të institucioneve shtetërore me përfaqësues të shteteve të huaja.

Por Rakiq  nuk e ka vendosur flamurin në takimet me ambasadorin e SHBA-ve në Kosovë, Philipp Kosnett dhe me shefen e Zyrës së BE-së në Kosovë, Natalia Apostolova.

Kurse, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi sot deklaroi para mediave se të gjithë personat që nuk i respektojnë Kushtetutën, Ligjet dhe simbolet e Kosovës nuk mund të jenë pjesë e institucioneve të shtetit.

“Unë kudo që paraqitem gjithmonë janë simbolet edhe kur kam qenë kryeministër i vendit, përfaqësuesit e komuniteteve i kanë respektuar kushtetutën ligjin dhe simbolet, përndryshe nuk ka qëndruar asnjë minutë në zyrë e vet. Ai që nuk respekton kushtetutën dhe ligjet e shtetit nuk mund të jetë pjesë e institucioneve”, tha Thaçi, kur u pyet në lidhje me këtë çështje.