Thaçi dënon sulmin iranian mbi bazën ushtarake amerikane

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka dënuar sulmin e autoriteteve iraniane kundër forcave amerikane dhe aleatëve të tyre, duke i bërë thirrje Teheranit zyrtar të heqë dorë nga dhuna.

Thaçi përmes një postimi në Twitter ka thënë që Kosova përkrah SHBA-në dhe aleatët e saj.

“Ne i dënojmë sulmet raketore iraniane kundër forcave amerikane dhe aleatëve të vendosura në Irak që janë të fokusuara në mposhtjen e ISIS. Kosova është anëtar zyrtar i Koalicionit dhe ne i bëjmë thirrje Iranit që të dekurajojë dhunën. Ne mbetemi në mbështetje të SHBA dhe familjes sonë atlantike në këtë kohë trazirash”, ka shkruar Thaçi.

Rreth 10 raketa iraniane kanë goditur bazën ushtarake ‘Al Asad’ në Irak në të cilën strehohen ushtarët amerikanë.

Raportohet se Garda Revolucionare e Iranit e ka marrë përsipër këtë sulm.

Ky sulm i Iranit mbi bazën ushtarake amerikane vjen pak ditë pasi forcat amerikane vranë gjeneralin e ushtrisë iraniane, Qassem Suleimani.

Irani sulmon bazën ushtarake amerikane në Irak

ShBA vret gjeneralin e forcave elite të Iranit

.