Dhuna në familje, Foto: Pixabay

Tetë raste të dhunës në familje regjistrohen në raportin 24 orësh të policisë

Në raportin e fundit të Policisë së Kosovës janë regjistruar tetë raste të dhunës në familje.

Dy nga to janë regjistruar disa ditë më parë në dosjet policore e të tjerat janë të ditës së djeshme.

Në Podujevë një burrë ka denoncuar gruan dhe djalin e tij. E gjitha kishte nisur pas një mosmarrëveshjeje mes tyre.

Gruaja është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit e njëjta është liruar në procedurë të rregullt.

Një rast tjetër është regjistruar në Prishtinë gjatë ditës së djeshme. Gruaja ka raportuar dje në polici se me datë 18 janar ishte sulmuar nga një burrë me të cilin ishte duke bashkëjetuar.

Gruaja ka pranuar tretman mjekësor ndërsa i dyshuari sipas policisë gjendet në arrati.

Një rast i dhunës në familje është regjistruar edhe në Ferizaj. Një burrë ka raportuar në polici se djali i tij ka ushtruar dhunë ndaj tij.

Djali është arrestuar dhe me urdhër të prokurorit kujdestar i njëjti është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Në Prizren një grua ka raportuar se pas një mosmarrëveshje është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj.

Viktima ka pranuar tretman mjekësor. Policia ka njoftuar se palët janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit, i dyshuari është arrestuar dhe dërguar në mbajtje.

Në Pejë rasti i dhunës në familje është përcjellë edhe me kanosje. Një burrë kishte kanosur një grua me të cilën ishte duke bashkëjetuar.

Rasti ka ndodhur më 13 janar.

Me vendim të prokurorit,  pas intervistimit i dyshuari  lirohet dhe rasti të procedohet në procedurë të rregullt.

Në Pejë janë shënuar edhe dy raste të tjera të dhunës në familje. Mbrëmë rreth orës 23 një grua ka raportuar se bashkëshorti i saj i dyshuari mashkull kosovar, nën ndikim të alkoolit, ka shkaktuar dhunë psikike ndaj saj.

I dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Rasti tjetër është shënuar nga një grua e cila dyshohet se është sulmuar fizikisht nga vajza e saj.  E dyshuara  me vendim të prokurorit është arrestuar ndërsa për shkak të gjendjes shëndetësore me propozim nga mjeku për sëmundje mentale është dërguar në repartin psikiatrik dhe gjendet nën përkujdesjen e policisë.

Në Vushtrri në orët e pasmesnatës është regjistruar një rast i dhunës në familje. Burri dyshohet se në ndikim të alkoolit kishte sulmuar gruan e tij.

Viktima ka pësuar lëndime trupore dhe ka pranuar tretmanë mjekësor në Emergjencë në Vushtrri. Me vendim të prokurorit  i dyshuari është arrestuar dhe  pas intervistimit është dërguar në mbajtje.