Testimet molekulare për COVID-19 nisin edhe në një laborator tjetër privat

Laboratori ‘UBT’, ‘Olive’ dhe ‘Medical Laboratory & Services’ janë tre laboratoret private të licensuara për kryerjen e testimeve molekulare RT-PCR për personat të cilët kanë simptoma të coronavirusit.

Deri më tani vetëm laboratori ‘Medical Laboratory & Services’ ka kryer testime molekulare nga laboratoret private edhe pse i licencuar ka qenë edhe laboratori i UBT-së.

Mirëpo, në faqen zyrate të UBT-së sot është bërë e ditur se ka filluar të kryej testime PCR.

Testimet molekulare do të kushtojnë 65 euro, ndërsa 25 euro ai serologjik.

“Laboratorët e UBT-së janë në dispozicion për të përmbushur nevojat dhe kërkesat e pacientëve në këtë situatë pandemie.Laboratori i UBT-së gjithashtu ofron paketën në të cilën janë të përfshirë të dy testet: Testimi molekular RT-PCR (65 euro) Testimi serologjik (25 euro)”, thuhet në njoftimin e UBT-së.

Të njëjtin ‘fat’ nuk e ka edhe laboratori ‘Olive’, ende nuk ka filluar të kryej testime RT-PCR, ndërsa testimet serologjike është duke i vazhduar.

KALLXO.com ka telefonuar në Laboratorin ‘Olive’ në lidhje me fillimin e testimeve edhe nga ky laborator, por të njëjtit kanë thënë se ende nuk kanë filluar.

“Jo nuk kemi filluar ende, po pritet këto ditë. Nuk kemi as datë as çmim”, kanë thënë nga ‘Olive’.

Ndërsa sa i përket laboratorit ‘Laboratory Medical & Services’ i cili ka qenë i vetmi që ka kryer testime PCR është raportuar se ka kryer testime në vlerë prej 200 euro, por një gjë e tillë është dematuar nga laboratori duke thënë se 200 euro paguajnë vetëm personat të cilët dëshirojnë të marrin rezultatin brenda 45 minutave.

“Për shkak të realizimit të shpejtë dhe kostos së reagensave ky test në MLS kushton 200 Euro”, thuhej në reagimin e laboratorit.

Testet RT-PCR tregojnë gjendjen e pacientëve nese janë të infekuar me COVID-19.

Edhe pse Ministria e Shëndetësisë ka licencuar tre laboratorë për testimet PCR numri i testimeve në vend nuk është duke u rritur.

Ministria e Shëndetësisë, gjithashtu ka licensuar edhe laboratorë të tjerë privat për të kryer testime serologjike.

Testet serologjike tregojnë nëse një persona ka qenë i infektuar me SARS- CoV-2.