Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

‘Termokosi’ vazhdon furnizimin me ngrohje edhe pas 15 prillit  

 Ndërmarrja Publike “Termokos” ka bërë të ditur se për shkak të parashikimeve meteorologjike do të vazhdojë furnizimin me ngrohje përreth 20 mijë konsumatorë të saj edhe pas 15 prillit.

Vazhdimi i furnizimit me ngrohje për banorët e Prishtinës, sipas njoftimit të “Termokosit” është bërë nga Kryeshefit Ekzekutiv, Fisnik Osmani dhe është miratuar nga Bordi i Drejtorëve të kësaj ndërmarrje,  në koordinim të plotë me KEK-un.

“Zgjatja e sezonit ngrohës 2022/2023 është në harmoni të plotë edhe me “Rregullën për kushtet e përgjithshme të furnizimit me energji” të ZRRE-së, sipas të cilës ndërmarrja mund të vazhdojë furnizimin e jashtëzakonshëm me ngrohje pas afatit të zakonshëm ligjor për përfundimin e sezonit ngrohës, në rastet kur sipas parashikimeve meteorologjike nuk janë përmbushur kushtet klimatike për të ndërprerë furnizimin me ngrohje“- thuhet në njoftim e “Termokosit”.

‘Termokosi” thotë se furnizimi me ngrohje, ditëve në vazhdim do të vazhdojë për aq kohë sa do të jetë e nevojshme.