Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

'Termokos' e përfundon sezonin ngrohës të shtunën

Ngrohtorja “Termokos”, ka njoftuar qytetarët e Prishtinës se nesër (e shtunë) do të përfundojë furnizimin me ngrohje.

Sipas ndërmarrjes, temperaturat e ajrit janë ngritur dhe duke u bazuar në parashikimet meteorologjike për një ngritje të mëtutjeshme të temperaturave ditëve në vazhdim, në koordinim të plotë me Komunën e Prishtinës dhe KEK-un, kanë marrë vendim, që të ndërpresin nesër furnizimin me ngrohje.

“Ky është sezoni i gjashtë ngrohës, gjatë të cilit për shkak të rënies së temperaturave të ajrit, NP ‘Termokos’ SH.A. ka vazhduar furnizimin me ngrohje edhe jashtë afatit të zakonshëm ligjor, duke përmbushur kështu nevojën dhe kërkesën e konsumatorëve tanë për ngrohje”, thuhet në njoftim.

Ngrohtorja ka theksuar se se kanë shënuar trend pozitiv të zhvillimi.

“Suksesi i arritur gjatë këtij sezoni ngrohës i atribuohet angazhimit të pakursyer të secilit punëtorë të ndërmarrjes si dhe kontributit të konsumatorëve tanë, që nëpërmes pagesës me rregull të faturave të ngrohjes na kanë mundësuar, që të realizojmë me sukses misionin tonë si dhe të vazhdojmë me realizimin e projekteve tjera, në funksion të ngritjes së cilësisë dhe modernizimit të shërbimeve tona”, ka përfunduar njoftimi.

KALLXO.com ka raportuar më 15 prill se ngrohtorja “Termokos” kishte marrë vendim që furnizimi me ngrohje në Prishtinë të vazhdonte edhe për disa ditë, për  shkak të motit.