Teleferiku në Kalanë e Prizrenit, ministri Aliu jep detaje për projektin

Ministri i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinorëdhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka thënë se ende nuk dihet kostoja e projektit për teleferikun në qytetin e Prizrenit.

Në konferencën për media, pas mbledhjes së qeverisë, Aliu ka thënë se ministria do ta sigurojë buxhetin pas hartimit të projektit.

“Ne e kemi marrë përsipër sigurimin e buxhetit për realizimin e projektit, për fazën në të cilën jemi tash, është fazë e hershme, pra jemi në fazën që duhet ta hartojmë projektin, sa do të kushtojë dhe kur do të realizohet këtë do ta marrim vesh kur do të përfundojë projekti” – tha Aliu.

Ai ka treguar edhe kompetencat e Swiss-Conact, Komunës së Prizrenit dhe ministrisë për realizimin e këtij projekti.

“Në marrëveshjen me Swiss-Conact, ekpsertiza në lidhje me dizajnimin për teleferikun do të bëhet nga ana e tyre, dhe po ashtu do të bëhet pagesa 50 për qind e total kostos për fizibilietet dhe për dizajn. Pjesën tjetër e paguan ministria, është përgjegjësi e komunës që të sigurojë dokumentacionet e nevojshme që kanë të bëjnë me lejet, pra presim që të kemi sa më shpejt projektin në mënyrë që pastaj të dimë sa kohë merr dhe cila do të jetë kostoja” – tha ai.

“Sa po të kemi projektin do të shohim sesi do të veprojmë brenda këtij viti ose në vitin tjetër, është projekti që e kemi marrë përsipër që do ta shtyjmë” – theksoi ai.

Më 10 janar është nënshkruar marrëveshja trepalëshe mes kryetarit të komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, ministrit të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu si dhe Agjencisë zvicerane, Swiss Contact për ndërtimin e teleferikut për në Kalanë e Prizrenit.

Që nga viti 2017 vazhdimisht është folur për nisjen e ndërtimit të teleferikut, ndarjes së buxhetit për këtë çështje.

Fillimisht ishte hapur një tender në prill të vitit 2017 por ishte anuluar në qershor 2017.

Në njoftimin për anulimin e aktivitetit të prokurimit “Ndërtimi i teleferikut për qasje më të lehtë në kalanë e Prizrenit” thuhej se “një dispozitë në Ligjin e Prokurimit Publik kërkon anulimin e aktivitetit të prokurimit”.

Komuna e Prizrenit si autoritet kontraktues në atë kohë kishte sqaruar për KALLXO.com se operatorët janë eliminuar nga aktiviteti i prokurimit për shkak se kanë qenë të papërgjegjshëm.

I pari i Komunës së Prizrenit në atë kohë kishte thënë se projekti si ishte nisur nuk e ka pëlqimin e Qendrës për Ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore, Këshillit për Ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore, Institutit Arkeologjik dhe disa institucioneve të tjera.

KALLXO.com kishte raportuar se Komuna e Prizrenit në vitin 2019 ka angazhuar një kompani franceze të specializuar për projektimin e teleferikëve në bashkëpunim me organizatën Swiss Contact.

Në vitin 2020, ishin ndarë 200 mijë euro në buxhetin e Kosovës për ndërtimin e teleferikut te Kalaja e Prizrenit. Derisa në buxhetin e vitit 2021 nuk kishte paraparë buxhet për këtë.

Në janar të vitit 2021, Komuna e Prizrenit kishte nënshkruar kontratë në vlerë prej 14 mijë e 475 euro për të bërë Studimin e fizibilitetit të teleferikut.