Prizreni

Foto: Denis Sllovinja

Komuna e Prizrenit nënshkruan kontratë për studimin e fizibilitetit për teleferikun në Kala

Komuna e Prizrenit po vazhdon punët për jetësimin e projektit të teleferikut në Kala edhe pse kishte anuluar tenderin në vitin 2018. Tashmë kjo komunë ka nënshkruar kontratë në vlerë prej 14 mijë e 475 euro për të bërë Studimin e fizibilitetit të teleferikut.

Tenderi për ndërtimin e teleferikut për qasje në Kalanë e Prizrenit, i cili ishte hapur në muajin prill të vitit 2017 është anuluar në muajin qershor të vitit 2018. Tenderi ishte anuluar me ndërhyrjen e kryetarit Mytaher Haskuka për shkak se sipas tij ky projekt ishte në kundërshtim me tri ligje, Ligjin për Trashëgiminë Kulturore, Ligjin për Qendrën Historike të Prizrenit dhe Ligjin për Ujërat e Kosovës.

Komuna për të kryer këtë studim ka nënshkruar kontratë me operatorin ekonomik “Studio Hapsira” nga Prishtina.

Sipas kontratës së nënshkruar, puna për të kryer do të fillonte tri ditë pas nënshkrimit të kontratës, pra me datën 22 dhjetor 2020 dhe sipas planit dinamik, ky studim planifikohet të kryhet brenda dhjetë ditësh.

Sipas kontratës, mbledhja e te dhënave dhe analizimit (arkitektura urbanistike dhe trashëgimia, ambienti & peizazhi, qasja & organizimi i transportit publik, ofertën ekzistuese turistike, analizën e të dhënave/ realizimin e hartave) do të kushtojë 4 mijë euro.

Analiza teknike (fizibiliteti regulator, fizibiliteti mjedisor, projekti i regjistrimit urban, fizibiliteti teknik, gjenerimi i dokumenteve teknike) do të kushtojë po ashtu 4 mijë euro.

Dizajnimi (sistemi transportues i kabllove dhe matja e projektit, plani i pjerrtësisë së teleferikut – planifikimi urban, karakteristikat kryesore të teleferikut, rekomandimet ne lidhje me peizazhin dhe integrimin urban) do të kushtojë 5 mijë euro.

Modeli Biznesit  (studimi tregut, etapa, llogaria e pritshme e fitimit apo humbjes, menaxhimi & rekomandimet shfrytëzuese) do të kushtojë 500 euro.

Kalkulimi i kostos – se realizimit te projektit -shpenzimet kapitale të pritshme -kostoja e pritshme e realizimit) do të kushtojë 500 euro.

Ndërsa pas 40 ditësh përmes një tryeze të rrumbullakët për prezantim të studimit, sipas kontratës, pritet të shpenzohen 475 euro.

Kujtojmë se në buxhetin e vitit 2020, Qeveria kishte ndarë 200 mijë euro, ndërsa në buxhetin e këtij viti për këtë projekt nuk është ndarë asnjë mjet.

KALLXO.com ka raportuar se Komuna e Prizrenit në vitin 2019 ka angazhuar një kompani franceze të specializuar për projektimin e teleferikëve në bashkëpunim me organizatën Swiss Contact.

“Pas analizës së situatës në terren, matjeve të bëra dhe vlerësimit në aspektin ligjor, kjo kompani tanimë është në fazën e projektimit, ku do të jetë i përfshirë edhe fizibiliteti i operimit dhe çmimi i ndërtimit. Pasi të përfundohet projektimi, do t’i shikojmë mundësitë për realizimin e projektit”, thuhej në përgjigjen e komunës.

Historiku i tenderit për teleferikun

Njoftimi për kontratë për këtë aktivitet të prokurimit është përgatitur në muajin prill të vitit 2017 dhe afati për operatorët ekonomikë për dorëzimin e aplikacioneve ka qenë deri në muajin qershor.

Tre operatorë kanë dorëzuar ofertat e tyre. Kompania “I. Seferi” me seli në Prizren ka ofertuar me një çmim prej 3 milionë e 411 mijë eurove. Konsorciumi “Energoremont D.D-Dega në Kosovë & Energoremont D.D & KAG Asphalt company” ka ofertuar me 3 milionë e 465 mijë euro, ndërsa operatori “Ekoinvest” me seli në Prishtinë ka ofertuar me 3 milionë e 296 mijë euro.

Komuna e Prizrenit ka vonuar plot 100 ditë vlerësimin e këtyre ofertave. Më 30 tetor 2017 ka vendosur që këtë tender ta anulojë.

Në njoftimin për anulimin e aktivitetit të prokurimit “Ndërtimi i teleferikut për qasje më të lehtë në kalanë e Prizrenit” thuhej se “një dispozitë në Ligjin e Prokurimit Publik kërkon anulimin e aktivitetit të prokurimit”.

Komuna e Prizrenit si autoritet kontraktues ka sqaruar për KALLXO.com se operatorët janë eliminuar nga aktiviteti i prokurimit për shkak se kanë qenë të papërgjegjshëm.

“Tre operatorët që kanë marrë pjesë në konkurrim për këtë projekt kanë qenë të papërgjegjshëm, andaj Ligji për Prokurim Publik (LPP), në këto raste parasheh anulimin e tenderit”, ka thënë Ymer Berisha, zyrtar për informim në Komunën e Prizrenit.

Kundër njoftimit për anulimin e aktivitetit të prokurimit operatori ekonomik “Energoremont D.D. – Dega në Kosovë & Energoremont D.D. & KAG Asphalt Company” sh.p.k – Prishtinë me datë 16.04.2018 ka bërë kërkesë për rishqyrtim tek autoriteti kontraktues.

Me 20.04.2018, Komuna e Prizrenit ka marrë vendim për ta refuzuar kërkesën për rishqyrtim të operatorit ekonomik “Energoremont D.D. – Dega në Kosovë & Energoremont D.D. & kag Asphalt Company” sh.p.k – Prishtinë.

Operatori ekonomik ankues “Energoremont D.D. – Dega në Kosovë & Energoremont D.D. & kag Asphalt Company” sh.p.k – Prishtinë, si palë e pakënaqur, ka deponuar ankesë në OShP, me 27 prill 2018, kundër njoftimit për dhënie të kontratës me titull “Ndërtimi i teleferikut për qasje më të lehtë në kalanë e Prizrenit”, të iniciuar nga AK – Komuna e Prizrenit duke pretenduar se AK ka vepruar në kundërshtim me nenet 1, 6, 59, 62 të Ligjit për Prokurim Publik të Republikës së Kosovës.

Ndërhyrja e kryetarit Haskuka për anulimin e tenderit

“Ndërtimi i teleferikut për qasje më të lehtë në kalanë e Prizrenit” i iniciuar nga Komuna e Prizrenit ishte kthyer në rivlerësim pas ndërhyrjes së kryetarit të Komunës, Mytaher Haskuka.

“Teleferiku faktikisht nuk është teleferik, por është gondolë, e cila i ka dy stacione. Njëra shkon poshtë, kurse tjetra lart dhe ka formën e hekurudhës, ku është paraparë të ketë dy stacione”, ka potencuar Haskuka.

Ai ka shpjeguar se stacioni i parë i teleferikut është paraparë të jetë 3 kate, bashkë me bodrum kurse stacioni në kala të jetë 4 kate.

Po ashtu Haskuka ka thënë se vlera e projektit është shumë e lartë, diku rreth 3.6 milionë euro.

Si problematike ai e ka konsideruar edhe bazën afër Kalasë e cila është 280 metra katrorë, por sipas Ligjit, çfarëdo ndërtimi që bëhet në Qendrën Historike të Prizrenit nuk mund të jetë më shumë se 150 metra katrorë.

“Problem tjetër është se pamja e kalasë prishet totalisht, sepse është vetëm 5 metra larg murit të Kalasë dhe ligji në fuqi thotë se nuk mund të ndërtohet 50 metra afër kalasë”, ka theksuar kryetari Haskuka.

Ai kishte thënë se përfundimisht çështja e teleferikut duhet rishqyrtuar dhe atë​ duhet bërë sipas nevojave të qytetarëve dhe jo sipas nevojave të disave personave që kanë pasur dëshirë për të bërë restorant pikërisht në ambientet e kalasë”, është shprehur Haskuka.

Mytaher Haskuka ka thënë se teleferiku duhet të bëhet, por duhet të jetë me gjatësi një stacion më larg kalasë, rreth vendit të quajtur “Pasha çeshme”, dhe duhet të jetë më pak i kushtueshëm.

“Duhet të jetë praktik edhe për qytetarët edhe për vetë qytetin e Prizrenit. Projekti aktual i teleferikut, nuk do t’ia rriste vlerën Prizrenit, përkundrazi, do t’ia humbte”, ka thënë Haskuka.

I pari i komunës së Prizrenit ka thënë se ky projekt nuk e ka pëlqimin e Qendrës për Ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore, Këshillit për Ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore, Institutit Arkeologjik dhe disa institucioneve të tjera.

Gazeta JnK nuk ka marrë përgjigje nga OShP kur është pyetur në lidhje me atë nëse është e drejtë që të respektohet Ligji për Prokurim Publik në rastin e teleferikut për qasje në kalanë e Prizrenit e nga ana tjetër të shkelen tre ligje të tjera të cilat janë potencuar nga Haskuka.

“Sa i përket pyetjeve tuaja lidhur me lëndën në fjalë, mund t’i referoheni vendimit të panelit shqyrtues”, thuhet në përgjigjen e OShP-së.

Tenderi është anuluar, ndërsa qytetarët duhet të vazhdojnë të vizitojnë kalanë duke ecur në këmbë deri lart.

Në Kalanë e Prizrenit me një gusht është hapur ekspozita arkeologjike që i ka paraprirë hapjes së muzeut në kala, ku janë ekspozuar artefakte të shumta të periudhave të ndryshme historike që janë zbuluar gjatë gërmimeve në kala, por edhe ato të zbuluara kryesisht në Prizren dhe rrethinë.

Në këtë link mund të lexoni guidën e KALLXO.com për kalanë e Prizrenit.